Vllaznia “bën detyrën”. Mund 2-0 Flamurtarin dhe kualifikohet në çerekfinale të Kupës

144

Vllaznia ka bërë detyrën sot duke fituar 2-0 ndaj Flamurtarit në ndeshjen e kthimit të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë dhe me këtë rezultat ka siguruar të drejtën për të shkuar në çerekfinale të këtij kompeticioni. Të dy golat e këtij takimi kanë për autor sulmuesin Junior. Në minutën e 28-të kuqeblutë kanë fituar të drejtën e një 11-metërshi. Atë e ka marrë përsipër ta ekzekutojë sulmuesi Junior që është treguar I saktë nga pika e bardhë duke shënuar dhe duke kaluar në avantazh ekipin e tij. Në vazhdim, pavarësisht përpjekjeve të të dy ekipeve nuk do kishte gol tjetër dhe pjesa e parë në këtë mënyrë është mbyllur me fitoren 1-0 të Vllaznisë. Në pjesën e dytë ndërkohë ekipi shkodran do të vijonte të kontrollonte gjithçka. Në minutën e 74-të takimi do të mbyllej. Do të ishte sërish braziliani Junior që do të shënonte duke dyfishuar shifrat dhe duke rikthyer qetësinë tek kuqeblutë. Deri në fund më pas nuk do të ndryshonte asgjë dhe Vllaznia do të fitonte 2-0 ndaj Flamurtarit duke u kualifikuar për në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, tur në të cilin do të ndeshet me Teutën.
Vllaznia në ndeshjen e sotme me Flamurtarin luajti me këtë formacion:
Laço, Gurishta, Shehi, Adili, Marku, Krymi, Hygor (Bardulla 76′), Kruja, Sidorenco (Lika ’64), Hristov (Ramadani ’70), Junior. Tr: M. Jonuz