Vllaznia fiton miqësoren me Mitrovicën

466

Kampionia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës në futboll për femra kanë zhvilluar dje një ndeshje miqësore në mes tyre, ndeshje kjo që është luajtur në qytetin e Ulqinit, pikërisht aty ku ekipi kosovar është duke zhvilluar fazën përgatitore të tij.
Vajzat shkodrane të drejtuara nga trajnerët Leka e Parmeza e kanë fituar këtë miqësore me rezultatin 1-0 falë golit të shënuar në minutën e 32-të nga sulmuesja e sapoardhur në skuadër, Jehona Shala. Vllaznia e ka nisur ndeshjen me portieren Raxhimi ndërkohë që në mbrojtje kanë luajtur Bajraktari, Rrahmani e Maliqi. Në mesfushë ndërkohë janë aktivizuar Franja, Gjini, Popoviç, Leba e Doçi ndërkohë që në sulm ka luajtur dyshja Lufo- Shala.
Kjo e fundit shfrytëzoi mjaft mirë një top të nisur nga Doçi pas shpinës së mbrojtjes kosovare dhe ka arritur të mposhtë portieren Rexhepi duke e dërguar atë në rrjetë, pikërisht në minutën e 32-të. Më pas ka patur edhe raste të tjera nga ekipi shkodran që ka kontrolluar gjithçka në fushë ndërkohë që Mitrovica në minutat e fundit të ndeshjes, ka shfrytëzuar edhe faktin që Vllaznia aktivizoi disa futbolliste të reja dhe tentoi barazimin, por nuk ia doli.
Përfundimisht 1-0 për Vllazninë në këtë përballje në mes ekipeve kampione të të dy vendeve të cilët i kanë përfaqësuar ato me dinjitet edhe në arenën ndërkombëtare gjatë sezonit të kaluar.
www.vllaznia.al