Vllaznia U12 fituese e turneut “Episkiros” në Selanik, Vllaznia U14 renditet e dyta

256

Paraqitje të shkëlqyera të dy ekipeve të Akademisë Vllaznia në turneun ndërkombëtar “Episkiros” që u zhvillua për tre ditë me rradhë në Selanik të Greqisë dhe ku morën pjesë ekipe të Akademive shumë të njohura nga mbarë Europa. Në fund të turneut, Vllaznia U12 e drejtuar nga trajneri Altin Xhahysa është renditur në vend të parë duke merituar trofeun e fituesit ndërsa ekipi Vllaznia U14 i drejtuar nga trajneri Denis Zmijani ka humbur në finale me 11-metërsha dhe është renditur në vendin e dytë. Kuptohet që kemi të bëjmë me një ecuri të shkëlqyer të dy ekipeve tona të cilat kanë demostruar vlerat më të mira të futbollit shkodran dhe shqiptar në këtë turne ku merrnin pjesë edhe ekipet e CSKA të Moskës, Olimpiakos, Panathinaikos, Paok, Akademia Pandev etj. Në ndeshjet në grupe, Vllaznia U12 i ka fituar të tre ato me rezultatet 2-1, 4-2 dhe 5-4 duke zënë vendin e parë në grup dhe kaloi direkt në finale përballë CSKA të Moskës. Rezultati i ndeshjes finale ka qenë i barabartë dhe me penallti, Vllaznia U12 ka fituar duke merituar kupën e këtij turneu. Po ashtu, futbollisti i saj Nebi Qokthi është vlerësuar edhe si futbollisti më i mirë i turneut duke marrë edhe kupën përkatëse.
Nga ana tjetër, Vllaznia U14 ka fituar ndeshjen e parë në grup 3-1 ndaj ekipit të Larisës, barazim 2-2 në ndeshjen e dytë dhe ka fituar 1-0 në të tretën duke zënë vendin e parë në grup dhe duke u kualifikuar për në finale. Aty është ndeshur me CSKA të Moskës dhe rezultati përfundimtar ka qenë i barabartë. Me 11-metërsha ekipi shkodran është mundur duke u mjaftuar kësisoj me vendin e dytë. Megjithatë ky përbën një sukses shumë të madh për ekipet tona që treguan një nivel të lartë në këtë turne ndërkombëtar.
© vllaznia.al