Vllaznia U17 fiton sërish, Vllaznia U19 merr tjetër barazim

421

Një fitore dhe një barazim kanë arritur ekipet e Akademisë Vllaznia edhe këtë javë dhe sërish ka qenë ekipi U17 që ka fituar ndërsa ai U19 ka barazuar përsëri.
Vllaznia U17 ka marrë një tjetër fitore në kampionat, madje kjo e rradhës merr edhe më shumë vlerë kur sheh mënyrën si është arritur dhe për më tepër, ka qenë në transfertë.Ka ndodhur kështu në ndeshjen e luajtur në Lezhë ndaj Brians dhe kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Brikeno Bizi 15 minuta para fundit, kanë qenë në disavantazh, por në fund gjërat kanë marrë rrjedhë tjetër dhe ata kanë fituar me rezultatin 2-1.Takimi ka qenë shumë i luftuar dhe në pjesën e parë nuk kanë arritur të shënojnë ndërkohë që në të dytën kanë ndodhur gjëra shumë të bukura.Ka qenë minuta e 67-të kur Nikolli ka kaluar në avantazh ekipin Brians. U duk se me këtë gol vendasit do të ishin më pranë fitores, por nuk do të ndodhte kështu sepse shkodranët nuk hoqën dorë nga pretendimet e tyre për të mos dalë pa pikë nga kjo përballje.Si rrjedhojë e këtyre përpjekjeve, në minutën e 77-të ka qenë mbrojtësi Qerpiku që do të barazonte rezultatin ndërkohë që gjashtë minuta më vonë ka ardhur edhe goli i shumëpritur i fitores, me autor Hasanin.Në këtë mënyrë, Vllaznia U17 fitoi 2-1 dhe mori një trepikësh me shumë vlerë. Ajo tashmë është ngjitur në kuotën e 29 pikëve dhe mban vendin e tretë në renditje.
Ndërkohë Vllaznia U19 ka barazuar 2-2 në ndeshjen e luajtur në kryeqytet ndaj Termit. Kanë qenë vendasit atë që kanë kaluar të parët në avantazh me anë të Maçit, megjithatë shkodranët nuk janë demoralizuar dhe kanë arritur të barazojnë me anë të sulmuesit Angjelo Radovani në minutën e 30-të. Po ky futbollist një minutë para fundit të pjesës së parë ka shënuar edhe golin e dytë për ekipin shkodran që e mbyll këtë 45 minutësh në avantazh 2-1.Një rezultat i tillë kuptohet që do ta favorizonte për vazhdimin e mëtejshëm të takimit, por në fakt në pjesën e dytë ka patur zhvillime të tjera interesante. Në minutën e 52-të pas një ndërhyrje krejt normale të sulmuesit Nikaj ndaj një kundërshtari, arbitri i ndeshjes çuditërisht i ka nxjerrë atij kartonin e kuq duke e lënë kësisoj Vllazninë U19 me një futbollist më pak për 40 minuta.Megjithatë djemtë e drejtuar nga trajneri Luan Zmijani janë munduar të rezistojnë për të ruajtur avantazhin dhe në fakt ia kanë dalë deri në minutat e fundit, atëherë kur Dulaj do të shënonte golin e dytë për Termin, atë të barazimit dhe kësisoj gjithçka do të mbyllej në barazim 2-2 në këtë përballje shumë interesante.Me këtë pikë, Vllaznia U19 është ngjitur në kuotën e 19 pikëve dhe mban sërish vendin e gjashtë në renditje, megjithatë në ndeshjet e ardhshme sigurisht që pritet një ngjitje në tabelë dhe me shumë të ngjarë deri në fund të kampionatit, kuqeblutë do të renditen në mes tre ekipeve më të mira.
© vllaznia.al