Vllaznia U19 fiton 3-0 “derbin” me AAS

144

Një ndeshje me shumë rivalitet ka qenë ajo e zhvilluar sot në fushën “Reshit Rusi” në mes Vllaznia dhe AAS, e vlefshme për kampionatin kombëtar të 19 vjeçarëve. “Derbi” shkodran i kësaj grupmoshe ka dhuruar shumë emocione për sportdashësit të cilët kanë qenë në numër të konsiderueshëm për ta ndjekur atë. Vllaznia ka fituar me rezultatin e pastër 3-0. Pjesa e parë e saj ka qenë mbase më e mirë për ekipin AAS që ka ushtruar më shumë presion në mesfushë ndonëse pa e vënë në provë asnjëherë portierin Qarri. Por në momentin më të mirë të kësaj skuadre, ka ardhur goli i kuqebluve. Ka qenë minuta e 31-të kur pas një aksioni të shkëlqyer të tyre, ka ardhur një pasim i mrekullueshëm i Ndrecës për Asllanin në të djathtë dhe ky i fundit pasi është futur në zonë, është treguar mjaft altruist duke i dhuruar topin e golit Barbullushit që nuk e ka patur të vështirë ta dërgojë në rrjetë. Me këtë gol do të mbyllej pjesa e parë. Në të dytën AAS është përpjekur mjaft për të barazuar por nuk ia ka dalë dot. Madje, në minutat e fundit do të ishte Qardaku që do të shënonte dy herë, përkatësisht në ’88 dhe ’89 duke vulosur kështu rezultatin përfundimtar 3-0 në favor të Vllaznia U19. Me këtë trepikësh, ekipi ynë është ngjitur në kuotën e 22 pikëve dhe mban vendin e dytë, dy pikë larg Shkëndisë së vendit të parë, megjithatë kuqeblutë kanë një ndeshje më pak të luajtur.
© vllaznia.al