Vllaznia U19 fiton me golin e Radovanit, ndalet Vllaznia U17

585

Një gol i sulmuesit Angjelo Radovani dy minuta para fundit, i ka dhënë fitoren Vllaznisë U19 në “derbin” shkodran ndaj ekipit AAS U19, në ndeshjen e luajtur në fushën e kompleksit “Hasaj”. Takimi ka qenë i luftuar nga të dy ekipet dhe padyshim që dëshira për fitore nuk ka munguar në të dy kampet. Vllaznia e Luan Zmijanit kuptohet që ka shfaqur më shumë dëshirë në fushën e lojës, por lojtarët e saj të repartit ofensiv e kanë patur të vështirë të gjejnë rrugën e rrjetës. Kur dukej se përballja po mbyllej në barazim, ka ardhur edhe goli i shumëpritur për kuqeblutë. Ka qenë sulmuesi Radovani ai që ka dërguar topin në rrjetën e portës së AAS pikërisht në minutën e 88-të. Me këtë fitore, Vllaznia U19 është ngjitur në kuotën e 19 pikëve duke qenë tashmë në vendin e pestë të renditjes, megjithatë objektivat janë për të vijuar ngjitjen edhe më lart sepse mundësitë dhe përbërjen e ka.
Ndërkohë Vllaznia U17 është mundur 0-2 nga KF Shkodra. Në fundin e pjesës së parë, KF Shkodra ka fituar të drejtën e një 11-metërshi, vendim ky që është kontestuar nga futbollistët dhe stafi i ekipit kuqeblu. Nga pika e bardhë kapiteni Preka është i saktë duke e dërguar topin në rrjetë. Pjesa e parë do të mbyllej 1-0 për KF Shkodrën. Në të dytën, është Vllaznia U17 që luan më mirë dhe vihet në kërkim të golit të barazimit dhe ndonëse i afrohet në disa momente, nuk ia del ta shenojë. Ndërkohë KF Shkodra me një kundërsulm të shpejtë arrin të shënojë edhe golin e dytë në minutën e 93-të me anë të Musarajt dhe në këtë mënyrë i gjithë takimi është mbyllur me fitoren e saj 2-0.
© vllaznia.al