Vllaznia U19 merr një tjetër fitore, vazhdon të ruajë kreun e renditjes

165

Tjetër fitore në kampionat për Vllaznia U19. Këtë herë ajo ka luajtur në Kamëz ndaj ekipit të Akademisë së Futbollit ndaj të cilit ka fituar me rezultatin 2-1. Ka qenë një takim i fortë dhe padyshim që fitorja në të, i favorizon edhe më shumë shkodranët për ta ruajtur kryesimin e renditjes deri në fund. Në pjesën e parë, pavarësisht rasteve të krijuara nga të dy ekipet, nuk ka patur gola të shënuar. Krejt ndryshe situata në të dytën. Në minutën e 55-të Qardaku ka fituar një 11-metërsh i cili është kthyer në gol nga ana e sulmuesit Akileu Ndreca. Kur dukej se ndeshja do të mbyllej vetëm me këtë gol, në fakt nuk do të ndodhte kështu sepse në dy minutat e fundit të saj do të shënoheshin edhe dy gola të tjerë. Fillimisht ka qenë Qardaku ai që ka dyfishuar shifrat. Këtu u duk se ndeshja do të përfundonte por nuk do të ndodhte kështu. Në minutën e 90-të Ballgjini do të ngushtonte shifrat për vendasit por vetëm kaq sepse nuk ka më kohë. Vllaznia U19 ka fituar krejt ndeshjen me rezultatin 2-1 duke hedhur një hap shumë të rëndësishëm drejt mbajtjes së vendit të parë të renditjes deri në fund të fazës së dytë të kampionatit. Siç dihet, objektivi i ekipit të drejtuar nga Luan Zmijani është fitimi i të tre trofeve të këtij sezoni. Të parin, atë të Kupës së Shqipërisë, e kanë bërë realitet. Tashmë janë shumë pranë titullit të dytë, atë Kampion i grupit të Veriut dhe më pas do të synojnë edhe trofeun e tretë, atë më të rëndësishmin, kampion i Shqipërisë. Çdo gjë është mëse e mundshme sepse kemi të bëjmë me një grup lojtarësh të talentuar që janë mësuar të fitojnë dhe këtë e demostrojnë në çdo ndeshje që ata zhvillojnë.
© vllaznia.al