Vllaznia U19 mund Tiranën kryesyese, barazon Vllaznia U17

430

Vllaznia U19 është rikthyer tek fitorja madje duke mundur Tiranën kryesuese të kampionatit dhe duke i shkaktuar asaj humbjen e parë pas 16 javësh. Me dy gola të shënuar që në pjesën e parë, Vllaznia U19 ia ka dalë të fitojë me rezultatin 2-0 dhe të marrë një trepikësh shumë të rëndësishëm. Ekipi ynë ndonëse me disa mungesa të rëndësishme në formacion si rrjedhojë e dëmtimeve të disa prej titullarëve apo dhe me mungesën e sulmuesit Nikaj i ndëshkuar me karton të kuq në takimin e kaluar, dukej se do të ishte e vështirë për të pretenduar pikë në këtë takim, qoftë ky edhe një barazim. Megjithatë fusha e lojës ka prodhuar tjetër gjë. Djemtë e drejtuar nga trajneri Luan Zmijani kanë treguar më shumë dëshirë, grintë e karakter dhe për rrjedhojë kanë arritur të fitojnë. Goli i parë ka patur për autor sulmuesin Angjelo Radovani në minutën e 13-të ndërkohë që për ta kompletuar serinë e golave ka menduar Eraldo Deda që pesë minuta para fundit të pjesës së parë. Në të dytën pavarësisht përpjekjeve të të dy ekipeve, nuk ka patur gol tjetër dhe i gjithë takimi është mbyllur me fitoren e Vllaznia U19 me rezultatin 2-0. Me këtë trepikësh, ajo ngjitet në kuotën e 22 pikëve duke u barazuar tashmë me Partizanin e vendit të tretë.
Ndërkohë Vllaznia U17 nuk ka shkuar më shumë sesa barazim 0-0 ndaj Tiranës së vendit të parë. Në “Reshit Rusi”.
futbollistët e të dy ekipeve janë munduar të shënojnë në portat respektive, por kanë qenë të pafat.Duhet thënë se Vllaznia U17 ka qenë më agresive, e ka kërkuar me ngulm golin me anë të sulmuesit të saj kryesor Perloshi, por edhe me Spahinë, Delajn e Papajn, por nuk ia ka dalë dot të shënojë.
Në pjesën e dytë presioni u rrit edhe më tepër sepse shkodranët tentonin me çdo kusht fitoren për t’u ngjitur edhe më shumë në renditje, por gjithsesi nuk ia kanë dalë. Me këtë pikë të marrë ndaj kryesuesve, Vllaznia U17 mbetet në vendin e tretë në renditje me 30 pikë ndërkohë që Shënkolli që ndodhet në vendin e dytë ka 32 pikë dhe një ndeshje më pak të luajtur.
© vllaznia.al