Vllaznia zbret në fushën e stërvitjes, nis përgatitjet për sezonin e ri

326

Vllaznia ka nisur pasditen e sotme përgatitjet për sezonin e ri futbollistik. Para se skuadra të zbresë në fushën e stadiumit “Loro Boriçi” për të zhvilluar seancën e parë, administratori Suad Lici ka prezantuar para futbollistëve trajnerin e ri Mirsad Jonuz dhe ka kërkuar angazhim maksimal nga ana e tyre. Sipas administratorit, pretendimet e Vllaznisë në sezonin e ri futbollistik do të jenë krejt të tjera në krahasim me ato të sezoneve të fundit. Nga ana tjetër trajneri Jonuz nuk ka dashur të zgjatet shumë në prezantimin e tij por u ka thënë lojtarëve se do të kenë më shumë kohë për t’u njohur në fushën e stërvitjes.

Menjëherë pas kësaj, ekipi ka dalë në fushë duke zhvilluar seancën e parë. Përkrah trajnerit Jonuz dhe ndihmësve të tij Osja e Lekiqi kanë qenë edhe mjeku i njohur Zyhdi Çoba dhe fizioterapisti Ilirjan Haxhaja. Ndërkohë në seancën e parë të pranishëm kanë qenë vetëm 16 futbollistët që janë aktualisht nën kontratë me Vllazninë ndërsa kanë munguar për arsye familjare dhe personale mbrojtësi Renato Malota dhe mesfushori Sinisha Rajçeviq. Ekipi do të zhvillojë për disa ditë përgatitjet në Shkodër dhe më pas do të spostohet jashtë vendit për të zhvilluar pjesën më intensive të përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik.
© vllaznia.al