Zogaj: I lumtur tek Vllaznia, punoj shumë për të dhënë maksimumin gjithmonë

118

Vllaznia vazhdon të fitojë në kampionat, tashmë edhe pa golat e brazilianit Zhunior megjithatë janë mesfushorët ata që po e bëjnë detyrën ashtu si duhet. Në ndeshjen e fundit ndaj Vorës, të tre golat janë shënuar pikërisht prej tyre, duke filluar nga kapiteni Lika, Hajdari por edhe i riu Zogaj. Ky i fundit në një prononcim për mediat është shprehur i lumtur për këtë gol të shënuar që është i dyti për të në kampionat dhe premton të bëjë më të mirën edhe në të ardhmen. “Jam shumë i lumtur për golin pasi kisha 4-5 javë që nuk po e gjeja dot rrugën e rrjetës. Por më e rëndësishme ishte fitorja sepse morëm një tjetër trepikësh, pasi ishte një ndeshje delikate sepse këto ekipet që janë në fund të tabelës të nxjerrin më shumë probleme, megjithatë ne e kishim vlerësuar maksimalisht dhe e kaluam me sukses. Falenderoj shumë profesorin për besimin që më ka dhënë. Unë vazhdoj të punoj fort çdo ditë për ta forcuar edhe më shumë atë dhe për të ecur përpara. Jam i lumtur që jam rikthyer tek Vllaznia. Ekipi më ka pritur mirë, i kënaqur që jam pjesë e kësaj skuadre sepse siç e dinë të gjithë, fanella e Vllaznisë është e rëndë dhe duhet justifikuar kjo gjë, prandaj punoj fort çdo ditë. Kemi një mision të vështirë për ta rikthyer në Superligë dhe besoj se do ia dalim”- ka deklaruar ai.Ndërkohë 21 vjeçari lezhjan ka folur edhe për ndeshjen e rradhës, atë me Ilirinë për të cilën shpreh bindjen se Vllaznia do të sigurojë fitoren e rradhës:”Iliria sidomos në fushën e vet është një skuadër shumë e fortë, por ne do ta përgatisim ashtu si duhet ndeshjen dhe do japim maksimumin për ta kaluar me sukses edhe atë”.Vllaznia kryeson renditjen e kampionatit dhe është e shkëputur shtatë pikë nga ndjekëset më të afërta megjithatë objektivi i saj është ta thellojë edhe më shumë atë për të arritur objektivin, ngjitjen në Superligë.
© vllaznia.al