Vllaznia- Laçi të dielën, Vllaznia- Skënderbeu të mërkurën e ardhshme

291

Federata Shqiptare e Futbollit ka përcaktuar kalendarin e ndeshjeve të javës së 5-të të Superligës me datat përkatëse të tyre. Kështu, ndeshja Vllaznia- Laçi do të luhet ditën e dielë në orën 14.00. Në fakt, drejtuesit e të dy klubeve nuk kanë qenë shumë dakord me këtë gjë dhe kanë kërkuar që ajo të spostohet për të shtunën me datë 28 shtator megjithatë duhet pritur tashmë vendimi i FSHF-së. Nga ana tjetër, është vendosur që edhe ndeshjet e javës së gjashtë të luhen në mesjavën e ardhshme, pikërisht përpara ndëprerjes së kampionatit. Kësisoj ndeshja Vllaznia- Skënderbeu do të luhet të mërkurën më datë 2 tetor në ora 14.00 po në stadiumin “Loro Boriçi”. Ekipi i Vllaznisë ka mundësi që të marrë dy fitore në këto dy përballje që luhen në fushën e saj dhe nëse i arrin ato, sigurisht që do të jetë një arritje e rëndësishme për këtë skuadër në pretendimet e saj. Trajneri Agim Canaj dhe futbollistët e tij janë duke u përgatitur seriozisht për këto ndeshje. Natyrisht që vëmendja kryesore është e përqendruar tek takimi i parë, ai që do të luhet të dielën me Laçin. Pritet që edhe në rradhët e tifozërisë të ketë një interesim të madh për këto ndeshje sepse Vllaznia po bën paraqitje shumë të mira në ndeshjet e para të këtij kampionati.
© vllaznia.al