Alban Noga: Objektivi im jo titulli por nxjerrja e elementit cilësor

263

Këtë sezon ka marrë një detyrë të re. Atë të trajnerit të parë të ekipit U-17 të Akademisë Vllaznia. Alban Noga në dy sezonet e kaluara ka qenë në rolin e zëvendëstrajnerit me ekipin U-19. Tashmë kuptohet që ka përgjegjësi më të madhe megjithatë ai është përgatitur për t’ia dalë me sukses. Në një prononcim për faqen tonë ai është shprehur: “Vështirësitë për krijimin e këtij ekipi kanë qenë të mëdha. Kam gjetur në skuadër futbollistë të datëlindjes 1997 që sezonin e kaluar nuk kishin luajtur qoftë edhe një ndeshje të vetme të plotë dhe kjo përbën problem. Megjithatë është punuar shumë me ta. Po ashtu ka ardhur edhe një kontigjent i mirë futbollistësh të datëlindjes 1998 dhe një i datëlindjes 1999 që është Arlind Demaj dhe me to skuadra është e kompletuar. Për këtë dua të falenderoj edhe trajnerin që i ka stërvitur këta futbollistët që përmenda në fund, Alban Volumin për punën cilësore që ka bërë me to. Stërvitja ka filluar në mesin e muajit gusht dhe deri në fillimin e kampionatit, futbollistët kanë marrë ngarkesat e duhura. E rëndësishme për mua si trajner është që futbollistët të mos kenë asnjë lloj dëmtimi prandaj dhe i kam kushtuar shumë kujdes mënyrës së stërvitjes. Pa harruar edhe anën psikologjike të punës me to. Gjërat kanë filluar mirë dhe e rëndësishme është të vazhdojmë kështu”. Ish- mbrojtësi i njohur i Vllaznisë, në prononcimin e tij e pranon se e ka për nder që është trajner pranë këtij klubi dhe premton t’i shërbejë me devotshmëri atij. “Për mua është privilegj të punoj me ekipet e ndryshme të klubit Vllaznia dhe natyrisht që jam i obliguar në maksimum për ta bërë sa më mirë punën time”- thotë trajneri i U-17 Noga. Ndërkohë duke folur në lidhje me kampionatin e kësaj grupmoshe që sapo ka filluar, ai do përgjigjej: “Shorti nuk ka qenë i favorshëm. Dy ndeshjet e para i kemi luajtur në Durrës, fillimisht me Teutën dhe më pas me Shkëndinë e Durrësit. Nga to, njërën e kemi fituar dhe tjetrën e kemi fituar. Në ndeshjen e tretë ndaj Flamurtarit në Shkodër fituam pastër 3-0 dhe e dominuam lojën. Qëllimi im nuk është aspak titulli kampion por t’i mësojmë këto fëmijë të luajnë futboll dhe për më tepër t’i edukojmë ashtu siç duhet. Jam i bindur se loja jonë nga java në javë ka për të ardhur duke u rritur dhe për këtë jam shumë i bindur”. Vllaznia U-17 ndodhet në vendin e tretë në renditje aktualisht me 6 pikë të grumbulluara ndërsa ndeshjen e ardhshme ajo do ta luajë në Pogradec ndaj skuadrës vendase.
© vllaznia.al