Amarildo Belisha: Me Kukësin do luajmë vetëm për fitore

254

Vllaznia duhet të fitojë patjetër ditën e dielë ndaj Kukësit. Kjo është deklarata e bërë sot nga Amarildo Belisha në konferencën për shtyp të organizuar nga ana e klubit.

Sipas mesfushorit të kuqebluve, patjetër që skuadra duhet të reagojë pas ballafaqimeve të fundit jopozitive.Nga ana tjetër Belisha u ka bërë thirrje gjyqtarëve të tregohen më të përgjegjshëm në këtë takim dhe të mos nisen me idenë se Vllazninë mund ta ndëshkosh lehtë ngaqë nuk ka mbështetje. Ja pyetjet dhe përgjigjet e dhëna në konferencën për shtyp:

-Belisha, tre ndeshjet e fundit nuk kanë qenë të mira për Vllazninë. Ka ardhur momenti për të reflektuar në takimin me Kukësin?
-Po ta marrim në këndvështrimin e rezultateve, duhet të pranojmë se nuk është një periudhë e mirë për ne pavarësisht se ndaj Besës dhe ndaj Flamurtarit, ne arritëm të dalim para portës kundërshtare dhe të krijojmë raste për t’I fituar ato ndeshje. Nuk e bëmë këtë gjë dhe më pas u ndëshkuam. Pra nuk kemi të bëjmë me një situatë të mirë por shpresoj që në ndeshjen me Kukësin të jemi në lartësinë e duhur dhe të marrim fitoren.
-Keni patur probleme dëmtimi në dy takimet e fundit. Si paraqitet gjendja juaj shëndetësore tani?
-është e vërtetë se që në ndeshjen e luajtur në Kavajë, kam patur një dëmtim. Doktorët bënë të pamundurën të rikuperohem për ndeshjen e Vlorës megjithatë në pjesën e dytë të asaj ndeshje, e ndjeva sërish shqetësimin e këtij dëmtimi, çka më bëri të dal nga fusha. Po punojmë sërish për rikuperimin dhe deri të dielën do të bëjmë të pamundurën që të jem në fushën e lojës.
-A është në presion Vllaznia në këtë pragndeshje me Kukësin?
-Presioni tek Vllaznia është gjithmonë present sepse ajo e ka presionin vazhdimisht pjesë të ecurisë së saj, për vetë emrin që ka dhe peshën në kampionatin shqiptar. Por ky presion mendoj se nuk duhet të na stepi në ndeshjen me Kukësin që të marrim rezultatin pozitiv. Këtë presion duhet ta marrim si shtysë për ta fituar këtë ndeshje.
-Meqë është ndeshje e rëndësishme, besoni se do ketë edhe një gjykim korrekt nga arbitrat?
-Të them të drejtën jemi pak të zhgënjyer nga arbitrat këtë sezon sepse u bënë disa ndeshje kur ne po ndëshkohemi nga vendimet e tyre. Shembulli më I mirë ishte edhe ai I ndeshjes së fundit me Flamurtarin. Kam qenë shumë pranë vendit ku u shkaktua faulli në rastin e 11-metërshit. Gjyqtari kryesor akordoi me të drejtë faull jashtë zone por më pas ndërhyrja e anësorit, bëri që vendimi të ishte për 11-metërsh. Dhe nuk është vetëm kjo ndeshje. Dihen problemet që kemi patur në ndeshjen me Lushnjën, mosdhënia e penalltive ndaj Bylisit dhe Kastriotit etj. Prandaj unë shpresoj që këtë herë gjyqtarët të mos bëhen faktorë dhe të mos mendojnë se Vllaznia është një skuadër që mund të ndëshkohet gjithmonë ngaqë nuk ka mbështetje dhe nuk di të reagojë.
-A rrezikon Vllaznia rënien nga kategoria këtë sezon?
-Po t’I referohesh renditjes, frikën e rënies nga kategoria e kanë plot 11 ekipe, që nga ai I vendit të dytë dhe deri tek vendi I fundit aktualisht. Unë them se është herët për të folur për rënie apo pozicione më lart. Vllaznia ju siguroj që do të bëjë punën e vet, si në këtë pozicion ashtu edhe kur kemi qenë më lart në renditje. Ne do bëjmë punën tonë, t’I marrim ndeshjet një e nga një dhe në fund do flasim pastaj.
-Keni fituar fazën e parë në Kukës kur ndoshta askush nuk e mendonte. Çfarë ndikimi do ketë ajo fitore në përballjen me nënkampionët e vendit?
-Ajo ndeshje duhet të na shërbejë si motiv për ta mundur sërish Kukësin. Duhet të jetë një model nga ne për t’u ndjekur dhe për t’u përsëritur sërish por nuk duhet të merremi shumë me atë ndeshje. Që atëherë ka kaluar shumë kohë, kanë ndryshuar shumë gjëra dhe tashmë duhet t’I bëjmë planet ndryshe.
© vllaznia.al