Analizë tek ekipi i femrave. Matija: Na presin sfida shumë më të vështira

279

Pasditen e djeshme në zyrat e klubit Vllaznia është zhvilluar një analizë e zgjeruar e ekipit të futbollit të femrave. E iniciuar nga presidenti Lazer Matija ajo ka patur të bëjë me një analizë të pjesmarrjes së ekipit në Ligën e Kampioneve, stërvitja gjatë kësaj periudhe, merkatoja dhe objektivat për sezonin e ri. Në këtë analizë, përveç presidentit Matija ka qenë i pranishëm edhe shefi i klubit Armir Grima. Ai që ka hapur takimin ka qenë presidenti që ka thënë: “Sezoni që lamë pas ka qenë shumë i mirë. Mbi të gjitha për pjesmarrjen tonë në Ligën e Kampioneve që ka qenë e shkëlqyer. Na duhet që të vazhdojmë të punojmë fort, jo vetëm për të rritur cilësinë sportive por për të qenë një ekip model brenda dhe jashtë fushës”. Ka folur edhe trajneri Selami Pepaj i cili ka shprehur qartë objektivat e punës së tij duke thënë: “Më keni dhënë një kënaqësi shumë të madhe në sezonin që lamë pas. Duhet të vazhdojmë në këtë rrugë sepse besoj se të tjera sfida të rëndësishme na presin për të ardhmen”. Ka përshëndetur vajzat dhe drejtuesit e skuadrës edhe shefi i klubit Grima që u është drejtuar me fjalët: “Kam qenë pranë jush në shumë ndeshje të kampionatit por më së shumti në Ligën e Kampioneve dhe më keni dhuruar shumë emocione, që ndoshta nuk i kam provuar as kur kam qenë vetë sportist. Ju keni hyrë tashmë në historinë e Vllaznisë dhe ju premtoj se do na keni pranë me mundësitë tona që kemi për t’iu mbështetur sepse e meritoni”. Analiza e djeshme i ka lënë vendin pastaj ndeshjes së sotme me Bilisht Sport, me të cilin nis edhe kampionati i ri në të cilin natyrisht që objektivat nuk do ndryshojnë por do mbesin në fuqi për t’i fituar të dy trofetë.

© vllaznia.al