Cungu: Vllaznia do kërkojë vetëm fitoren nesër ndaj Tiranës

233

Takimi i nesërm ndaj Tiranës pritet me interes në kampin shkodran. Kuqeblutë pavarësisht problemeve që kanë me dëmtimet e disa lojtarëve, do të kërkojnë patjetër fitore. Këtë e ka deklaruar në konferencën e zakonshme për shtyp një ditë para ndeshjes, vetë trajneri Armando Cungu kur ka thënë: “Ndeshja me Tiranës është e rradhës për ne dhe natyrshëm që nuk është ndeshje e lehtë duke pasur parasysh kualitetet dhe grupin e lojtarëve që ka në dispozicion kundërshtari. Megjithatë e konsideroj një ndeshje mëse të përballueshme nga ana jonë nëse do të sillemi siç duhet në fushën e lojës duke zbatuar ato detyra që kërkojmë ne si trajnerë. Mbi të gjitha duke vënë në punë shpirtin e garës dhe karakterin luftarak, gjë të cilën e kemi bërë shumë mirë në dy ndeshjet me Skënderbeun si dhe në pjesën e dytë ndaj Partizanit dhe nëse ndodh kështu, atëherë fitorja mund të jetë e jona”. Gjithsesi nuk do të jetë e lehtë. Për më tepër që Vllaznia ka jo pak mungesa edhe për takimin e nesërm. Dëmtimet e shumta që po e shoqërojnë skuadrën, vazhdojnë ta shqetësojnë trajnerin Cungu i cili madje duket i irrituar me këtë gjë kur shton: “Shqetësimi më i madh i imi si trajner janë mungesat. Që në momentin kur kam marrë drejtimin e kësaj skuadre, akoma nuk kam arritur që të luajë dy javë rresht me të njëjtin formacion dhe sidomos këto javët e fundit, problemet kanë qenë shumë më të mëdha. Edhe nesër ndaj Tiranës përsëri do të kemi mungesa të shumta, madje mund t’u them se unë si trajner një ditë para ndeshjes së nesërme, ende nuk e di se cili do të jetë kontigjenti që do të kem në dispozicion. Më vjen keq ta them, por nuk e kuptoj çfarë është bërë këtu. Ka dëmtime të vjetra lojtarësh ose stërmundime të cilat kanë shtyrë kanë shtyrë me medikamente, me gjilpëra, por tani ka ardhur një moment që ata nuk janë më të zotë t’i përballojnë këto dëmtime. Por këta janë lojtarë kryesorë për ekipin dhe natyrshëm që me mungesat e tyre, kanë ndikimin e vet tek rezultatet. Megjithatë unë shoh edhe anën tjetër. Ky është një shans që u jepet disa lojtarëve të rinj për të treguar vlerat e veta. Ua kam thënë se kam besim tek ata dhe vazhdoj të kem sepse më shumë sesa Vllazninë, do të jenë të vlefshëm për veten e tyre në të ardhmen”. Edhe kundërshtari i Vllaznisë në takimin e nesërm kuptohet që vjen për fitore sepse nuk ka dëshirë që lëshojë terren në garën për vendin e tretë. Megjithatë Armando Cungu mendon se skuadra që ai drejton, ka më shumë motiv dhe “uri” për ta fituar këtë takim. “Ne hyjmë në çdo ndeshje për të fituar por kjo varet nga rrethanat e lojës. Sigurisht që pas ndeshjes së kaluar me Kukësin, ne do të kishim qenë të kënaqur edhe me një barazim sepse në fund të fundit më mirë një pikë se asnjë. Unë gjithmonë e orientoj ekipin për të hyrë në fushën e lojës vetëm për fitore. Edhe Tirana ka problemet e veta por edhe ambicjet e veta sepse kërkon vendin e tretë por Vllaznia ka shumë më tepër ambicje dhe uri, ose më saktë, duhet të tregojmë më shumë uri në fushën e lojës pasi jemi në gjendje kritike. Në këto kushte, nuk besoj se Tirana ka po të njëjtën uri si ne.Kuptohet që të gjithë dhe në veçanti tifozët, do të presin nesër një lojë të bukur për të dy ekipet por sinqerisht ju them se ajo çfarë më intereson për momentin janë pikët. Prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm, shumë pragmatistë, për të marrë rezultatin që dëshirojmë”- është shprehur ai. Por ndërkohë, ashtu siç ka vepruar përpara ndeshjes së parë të këtij viti, asaj me Skënderbeun, edhe sot në mesditë kryetarja e Bashkisë Shkodër, zj.Voltana Ademi ka vizituar ekipin e Vllaznisë para stërvitjes. Ajo ka mbërritur në ambjentet e fushës “Reshit Rusi” rreth orës 11.30 kur ishte planifikuar të vinte skuadra dhe pasi është takuar me administratorin Gjyrezi e drejtorin sportiv Grima, ka përshëndetur edhe Cungun e stafin e tij. Më pas, për rreth 10 minuta, të gjithë sëbashku janë grumbulluar në dhomat e zhveshjes pa praninë e gazetarëve duke zhvilluar një takim të ngrohtë. Vetë kryebashkiakja Ademi pas daljes, nuk ka patur dëshirë të prononcohet duke u mjaftuar me fjalët: “Do flasin ata në fushën e lojës”. Ai që ka sqaruar diçka në lidhje me këtë takim ka qenë trajneri Cungu që për mediat është shprehur: “Patjetër që është diçka pozitive prania e zj.Ademi pranë skuadrës. Ajo në fakt gjithnjë ka qenë pranë nesh. Sigurisht që nuk mund të jetë në çdo ndeshje, edhe për shkak të impenjimeve që ka megjithatë sa herë që ka qenë e mundur, është pranë nesh. Nuk ka munguar komunikimi i përditshëm me të përmes telefonit por edhe përmes takimeve. Por kur zbret në fushën e stërvitjes për të takuar sportistët, sigurisht që është një mbështetje e madhe, një korrektësi në çdo aspekt. Njëkohësisht shpresoj që të jetë edhe këmbëmbarë sepse herën e fundit që erdhi në stërvitje ishte para ndeshjes me ekipin e Skënderbeut dhe arritëm rezultat pozitiv dhe shpresoj që kjo të ndodhë edhe nesër. Takimi i kryebashkiakes me ekipin ishte për t’i dhënë asaj mbështetje, optimizëm djemve por njëkohësisht edhe për vazhdimësi dhe për të krijuar besimin tek këto futbollistë se Vllaznia do ta përballojë me sukses kampionatin dhe do të qëndrojë në Superligë”.
© vllaznia.al