DEKLARATË PËR SHTYP: JA FONDET QË JANË AKORDUAR PËR KF VLLAZNINË

238

Klubi i Futbollit “Vllaznia” dëshiron të bëjë një sqarim për të gjithë opinionin publik dhe veҫanërisht për sportdashësit e tij nëpërmjet kësaj deklarate për shtyp, në lidhje me sa është thënë e deklaruar rreth situatës financiare të tij këto ditët e fundit. Në media, të cilat i janë referuar ndonjë këshilltari të Bashkisë Shkodër, është thënë se KF Vllaznia, vetëm për vitin 2016, do të kishte një financim prej plot 120 milionë lekësh nga Bashkia. Kjo deklaratë na ka habitur dhe nuk na ka lënë shije të mirë, pasi është shumë larg së vërtetës.Nuk e dimë kujt mund t’i interesojë shtrembërimi i fakteve e me ҫfarë qëllimi bëhet, por ajo që dimë mirë është që Vllaznisë nuk i shërben! Për secilin nga këshilltarët, apo për këdo tjetër, në ҫdo kohë është lehtësisht e verifikueshme nëpërmjet vendimeve të Këshillit Bashkiak të publikuara on line dhe ekstraktit historik të KF Vllaznia sh.a. në QKR, se Bashkia Shkodër në fillim të këtij viti ka lëvruar një fond prej 50 milionë lekësh për klubin tonë. Ndërkohë, në mbledhjen e datës 2 nëntor, u miratua edhe një fond tjetër prej 12 milionë lekësh. Në total, për vitin 2016 ky institucion do të kalojë në arkën e KF Vllaznia një shumë prej 62 milionë lekësh dhe jo 120 milionë lekë siç u deklarua me abuzivisëm. Nëse dikush kërkon të shfrytëzojë Vllazninë për përfitime politike, duke abuzuar me deklarata aspak serioze, kjo është çështje tjetër.Kjo është e vërteta dhe ne jemi në dispozicion të kujtdo që dëshiron të mësojë më shumë në lidhje me të. Në të njëjtën kohë, duam të sjellim në vëmendjen e të gjithëve, se nga shuma e miratuar, 22 milionë lekë janë shpenzuar për likujdimin e borxheve të prapambetura. Për rrjedhojë, në dispozicion të KF Vllaznia për të gjithë veprimtarinë e tij për vitin 2016, mbesin 40 milionë lekë. Se ku janë shpenzuar dhe si do të shpenzohen këto lekë, apo të ardhurat e tjera të siguruara nga KF Vllaznia, është plotësisht e verifikueshme  nga kushdo, sepse jemi të hapur për këtë gjë. KF Vllaznia i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë publike të gjitha shpenzimet financiare për këshilltarët bashkiakë apo këdo tjetër sa herë që i kanë kërkuar, sepse nuk kemi asgjë për të fshehur dhe jemi shumë transparent në këtë drejtim.

KF Vllaznia