Denis Dyca i jep fitoren Vllaznisë B në Kukës. Ngjitet në vend të dytë

257

Një javë e mbarë për të gjitha ekipet e Klubit të Futbollit Vllaznia kjo e fundit. E ka nisur ekipi i parë me atë fitore të shkëlqyer pasditen e së premtes në Vlorë. Kanë vazhduar femrat ditën e djeshme me fitoren 5-0 ndaj Tirana AS, ndërkohë që U-17 ka fituar 2-1 me Olimpic paraditen e sotme dhe më pas, U-19 ka fituar 2-0 ndaj Brian’s. E për ta mbyllur ashtu si duhet këtë javë, ka menduar ekipi B. Ai pasditen e sotme ka luajtur ndeshjen e rradhës në Kukës ndaj ekipit B të këtij klubi me të njëjtin emër dhe në fund të 90 minutave është fiksuar rezultati 1-0 për shkodranët. Golin e fitores e ka shënuar në minutën e 80-të Denis Dyca. Kjo ka qenë një fitore shumë e rëndësishme për ekipin kuqeblu të drejtuar nga trajneri Ervis Kraja. Loja ka qenë deri diku e barabartë ndonëse rastet më të pastra për shënim i ka patur Vllaznia B. Me disa ndryshime të kryera në pjesën e dytë, shkodranët e kanë rritur lojën e tyre dhe goli i shënuar ka kurorëzuar me sukses përpjekjet e bëra për arritjen e kësaj fitoreje. Me trepikëshin e sotëm, ky ekip është ngjitur në kuotën e 16 pikëve (e para është Egnatia me 24 pikë por me një ndeshje me shumë). Vllaznia B ndonëse ka tetë ndeshje të zhvilluara, mban me meritë këtë vend ndërkohë që Veleçiku është në vendin e tretë me 15 pikë por me 9 ndeshje të luajtura dhe më pas vijnë, Tirana B, Vora, Albpetroli, Partizani B etj. Javën e ardhshme Vllaznia B do të presë në “Reshit Rusi” ekipin Partizani B.

© vllaznia.al