Dritan Gjyrezi në zyrat e Juventusit për mbledhjen e rradhës të ECA-së

247

Përfaqësuesi i Vllaznisë në shoqatën europiane të klubeve (ECA), menaxheri Dritan Gjyrezi, ka marrë pjesë në mbledhjen e rradhës të grupit të punës të kësaj shoqate. Siç kemi bërë të ditur edhe më parë, ai ka fituar të jetë pjesë e këtij grupi në mes 20 përfaqësuesve të klubeve të ndryshme të kontinentit tonë, grup ky që kryesohet nga presidenti aktual i Juventusit Andrea Anjeli.

Jo më kot, edhe mbledhja e rradhës e këtij grupi, është zhvilluar këtë herë në zyrat e klubit të mirënjohur italian të futbollit. Këtë e tregon më së miri edhe seti fotografik që është publikuar në faqen zyrtare të Juventusit. Siç bën të ditur vetë menaxheri Gjyrezi, tematika e diskutuar në këtë mbledhje ka qenë e shumtë. “Objekti i punës së këtij grupi që kryesohet nga presidenti i Juventusit Andrea Anjeli, është rregullimi i marëdhënieve ndërinstitucionale me Uefa-n dhe Fifa-n. Aty diskutohen shumë gjëra dhe më pas i bëhet propozimi këtyre institucioneve për të marrë vendimet e duhura. Kështu, një nga vendimet e marra në mbledhjen e fundit për shembull është ai i heqjes së liçensave të menaxherëve. Kështu nga 1 janarit i vitit 2015 nuk do ketë më menaxherë futbolli. Thjesht lojtari i interesuar do firmosë një deklaratë me një person që është i interesuar për të rregulluar kontratën e tij prandaj dhe klubet nuk do të jenë më të detyruara të punojnë me menaxherë të liçensuar por mjafton me dikë që të ketë një leje të thjeshtë, të themi. Po ashtu, është diskutuar për marëdhëniet në mes klubeve, anëtare të kësaj shoqate, disa propozime për ndryshime strukturash të disa turneve etj”. Pjesmarrja e Gjyrezit si përfaqësues i klubit të futbollit Vllaznia në këtë grup pune, sigurisht që është një arritje e madhe sepse mjafton një mbledhje e këtij grupi dhe emri i Vllaznisë është gjithnjë i pranishëm. Të mos harrojmë se president i këtij grupi të punës është presidenti aktual i Juventusit Andrea Anjelli ndërsa zëvendëspresident Theodore Giannikos, drejtues i lartë i Olimpiakosit të Pireut. Përveç këtyre dy drejtuesve të lartë, grupi i punës përbëhet edhe nga përfaqësuesit e klubeve të njohura si ato të Realit të Madridit, Interit të Milanos, Olimpikut të Marsejës, Portos, PSV Eindhoven, Volfsburg, Olimpik Lion, Fulham, Genk, Zenit Petersburg, Basel, Gallatasaraj, Red Bull Salzburg, Leh Poznan, Selltik, Cervena Zvezda, Steau Bukuresht, Debrecen dhe Birkirkara. Aty është edhe Vllaznia dhe kjo është një arritje.
© vllaznia.al