Eugent Zeka, emërohet drejtor sportiv i KF Vllaznia

313

Paraditen e sotme ka patur një lëvizje në strukturat drejtuesve të KF Vllaznia sh.a. Eugent Zeka është emëruar drejtor sportiv i klubit shkodran. Ai do të zërë kësisoj vendin e Armir Grimës që e ka mbajtur këtë post prej pesë vitesh. Grima ditët e fundit ka paraqitur dorëheqjen në klub për shkak të angazhimeve të tij profesionale sepse siç dihet, ai mban aktualisht pozicionin e trajnerit të kombëtares së futbollit të femrave. KF Vllaznia falenderon Armir Grimën për kontributin e dhënë prej vitesh edhe si drejtues dhe i uron suksese në punën e tij të re. Nga ana tjetër, pas studimit të shumë kandidaturave, është vendosur që ky post t’i besohet Eugent Zekës. I lindur në Shkodër në vitin 1974, ai ka shumë vite që jeton në Itali. Atje ka përfunduar edhe të gjitha kurset për trajner dhe madje ka marrë edhe liçensën më të lartë të trajnimit, atë UEFA PRO, në një nga shkollat më të mira në Botë, atë të Koverçanos. Më pas, Zeka ka punuar tek ekipi i Estellas, pjesmarrës në Serinë B, aty ku ka kryer detyrën e trajnerit të moshave dhe njëkohësisht edhe atë të mjeshtrit të teknikës për gjithë Akademinë e këtij klubi. Më pas, ka kaluar tek klubi Sestri Levante në Serinë D ku ka kryer detyrën e zëvendëstrajnerit të ekipit të parë dhe njëkohësisht ka qenë edhe drejtor teknik i Akademisë. Vitet e fundit ndërkohë ka kryer detyrën e skautit të talenteve të reja për klubin e Xhenoas. “ëndërra ime ka qenë gjithmonë t’i shërbej Vllaznisë dhe sot që kjo ëndërr mu realizua, jam shumë i lumtur. Jam i përkushtuar maksimalisht për të bërë më të mirën për këtë klub”- kanë qenë fjalët e tij të para për faqen zyrtare të drejtorit të ri sportiv të klubit. Eugent Zeka kësisoj është një vlerë e shtuar klubit dhe ne i urojmë suksese në detyrën e tij të re. Në ditët në vijim do të ketë edhe një konferencë për shtyp të tij dhe para gazetarëve do të shpalosë objektivat e punës së tij.

www.vllaznia.al