Festë kuqeblu në Shkodër. Kjo është Vllaznia e djemve të rinj

256

Vllaznia dje ka fituar jo thjesht një ndeshje futbolli, pavarësisht se ndaj skuadrës më të fortë të kampionatit. Ajo në pamje të parë ka krijuar përshtypjen e një feste të madhe, njëlloj sikur të kishte fituar ndonjë trofe. Për rrjedhojë, e tillë është zhvilluar festa në Shkodër mbrëmë. Tre autobuzët me tifozë që kishin qenë në “Qemal Stafa”, kanë pritur edhe autobuzin e ekipit në hyrje të qytetit dhe kanë hyrë sëbashku, kuptohet me boritë e ndezura dhe me autovetura të tjera që i shoqëronin duke formuar një karvan të gjatë. Në sheshin kryesor, atë para Bashkisë së Qytetit, kishin dalë për t’i pritur fituesit edhe kryebashkiaku Lorenc Luka, kryetari i Këshillit Bashkiak Bardhyl Lohja e të tjerë drejtues. Festa ka vazhduar jo pak dhe palët janë përqafuar gjatë me njëra- tjetrën për suksesin e rradhës.

“Një gëzim i ligjshëm se jo vetëm fituam ndaj Partizanit por i treguam gjithë futbollit shqiptar se kush është Vllaznia dhe çfarë bën ajo me djemtë e saj të rinj”- ka thënë kryetari i bordit Mbikëqyrës të klubit Xhevdet Amuli. Të kënaqur edhe të tjerët. Trajneri Raineri nuk u besonte shumë me tifozët e shumtë që brohorisnin në kor emrin e tij. “Po përjetoj momente shumë të lumtura. Mu shpërblye besimi që kam patur tek kjo skuadër edhe në ditët tona më të vështira dhe sot (dje) treguam se dimë të fitojmë edhe ndaj një ekipi si Partizani”- ka thënë tekniku italian. I lumtur edhe kapiteni Beqiri që shton: “Për këta tifozë të mrekullueshëm ia vlen të sakrifikosh dhe të luftosh në çdo ndeshje për fitore sepse me to kënaqim veten, këta tifozë dhe një qytet të tërë”. Edhe autori i golit, Alsid Tafili ka qenë i entuziasmuar dhe për golin ka patur një dedikim: “Më shumë sesa familjes time, ky gol që shënova në këtë ndeshje shkon për këta tifozë të mrekullueshëm që na kanë mbështetur vazhdimisht dhe vazhdojnë të na mbështesin”. Festa ka zgjatur jo pak minuta por më pas, të gjithë janë shpërndarë. Kuptohet që ishte një festë sporadike. Asgjë nuk ka përfunduar dhe Vllaznia duhet të fillojë të mendojë për të dielën ndaj Skënderbeut. Nëse fiton edhe me të, atëherë festat e fund-vitit do jenë edhe më të bukura për shkodranët.

 

© vllaznia.al