Grima & Hoxha lajme të mira për Akademinë nga Italia dhe Zvicra

258

Dy drejtuesit e lartë të klubit shkodran, drejtori sportiv Armir Grima dhe drejtori i Akademisë Qashif Hoxha, dje dhe pardje kanë qenë në Itali dhe Zvicër të ftuar nga disa miq të klubit Vllaznia për të diskutuar kryesisht në lidhje me Akademinë e këtij klubi. Siç ka bërë të ditur drejtori Grima, janë bërë takime me menaxherin e njohur Pablo Betancourt dhe drejtorin e përgjithshëm të klubit të Xhenoas. Ata kanë shprehur interes për 3-4 futbollistë 17-18 vjeçarë të Akademisë Vllaznia. Informacionet i kanë patur të sakta sepse kohët e fundit janë interesuar në lidhje me to dhe në janar nuk përjashtohet mundësia që këta futbollistë të shkojnë në Itali e Zvicër për të treguar vlerat e tyre dhe nëse rezultojnë të vlefshme pastaj do të negociohet me ta për çështjet e kontratave dhe atë se çfarë do përfitojë klubi Vllaznia prej tyre.Po ashtu është diskutuar edhe për pjesmarrjen e ekipit U-19 të Akademisë Vllaznia në muajin prill në Bellinzona të Zvicrës, turne ky i njohur nga FIFA e ku marrin pjesë të rinjtë e ekipeve të tilla si ato të Realit, Interit, Mançester Sitit etj. Një temë tjetër ka qenë edhe ajo e bisedimeve për një ndeshje miqësore në të ardhmen në mes ekipit të parë të Vllaznisë dhe atij të Luganos së Zvicrës e po ashtu edhe në mes ekipeve të femrave të dy klubeve. Në këtë mënyrë, kjo vizitë dyditore duket se ka qenë shumë e frytshme dhe mund të hapë shumë dritare bashkëpunimi për të ardhmen.

© vllaznia.al