Klubi Vllaznia ankimon vendimet e Komisionit të Disiplinës

238

Klubi i Futbollit Vllaznia ka vendosur ta ankimojë vendimin e marrë nga Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Ky i fundit, në mbledhjen e ditës së shtunë, ka analizuar incidentet e ndodhura në ndeshjen Vllaznia- Tirana dhe në fund ka dalë me vendimin e ndëshkimit të klubit shkodran për zhvillimin e 10 ndeshjeve pa tifozë si dhe me 10 milionë lekë gjobë. Pavarësisht se klubi i Tiranës është ndëshkuar më shumë, shkodranët janë marrë me pjesën e tyre të dënimit dhe për rrjedhojë, të pakënaqur me të, kanë vendosur ta ankimojnë. Juristët e tij prej dy ditësh janë marrë me hartimin e ankimimit teksa nuk e kanë gjetur të bazuar në rregullore vendimin e marrë nga ana e Komisionit të Disiplinës. Për të këtë arsye, kërkohet zbritja e dënimit të fushës por edhe e gjobës së vënë. Ankimimi është depozituar paraditen e sotme në zyrat e FSHF-së nga ana e shefit të klubit Armir Grima dhe bashkë me të, ka qenë edhe dvd-ja me pamjet e ndeshjes dhe të incidenteve të ndodhura. Përpos kësaj është paguar edhe shuma prej 1 milionë lekësh që duhet për këtë ankimim. Komisionit i Apelit do mblidhet brenda 2-3 ditësh për këtë çështje dhe do marrë në shqyrtim ankesën e klubit Vllaznia. drejtuesit e këtij të fundit, kanë kërkuar gjithashtu që para anëtareve të këtij komisioni të jetë edhe një jurist për të mbrojtur pikërisht kundërshtimin e tyre në lidhje me vendimin e Disiplinës. Shkodranët do ta kërkojnë të drejtën e tyre deri në fund madje presidenti Nava ka deklaruar se mund ta ndjekë deri në FIFa megjithatë për momentin, pritet vendimi i Komisionit të Apelit për të parë nëse do zbritet dënimi apo jo.

www.vllaznia.al