Klubi Vllaznia çmime të lira biletash për ndeshjen me Laçin

271

Ndonëse u mendua se për ndeshjen e rradhës do kishte një rritje të çmimit të biletave, drejtuesit e Bordit Mbikëqyrës të Klubit të futbollit Vllaznia kanë vendosur të mos e bëjnë këtë gjë duke i dhënë një mundësi sportdashësve shkodranë të jenë të shumtë në numër për ndeshjen e nesërme me Laçin. Në fakt nuk është aspak normale që një biletë në Fier për të parë ndeshjet e Apolonisë së vendit të parafundit në renditje, kushton 10 mijë lekë të vjetra ndërsa në Shkodër maksimumi një biletë kushton 3 mijë lekë.

Kështu do të ndodhë edhe këtë herë. Biletat për tribunën qendrore dhe atë përkarshi, do të kenë këtë vlera ndërsa biletat për tribunës pas porte do të kushtojnë 2 mijë lekë. Kjo është bërë me qëllimin e mirë për të patur sa më shumë tifozë në shkallët e stadiumit dhe sëbashku për të mbështetur skuadrën për arritjen e fitores së katërt rradhazi. Po gjatë ditës së sotme në ambjentet e stadiumit “Loro Boriçi” ka patur një takim në mes drejtuesve të policisë së Qarkut Shkodër, administratorit të klubit dhe një përfaqësie të grupimit “Vllaznit Ultras”. Kjo për të sheshuar edhe problemet që u krijuan në ndeshjen e fundit me Flamurtarin kryesisht me vendin se ku do të qëndrojnë ultrasit. Palët kanë rënë dakord që ata të qëndrojnë në vendin e tyre të preferuar, atë pas portës dhe kanë garantuar një sjellje shumë normale. Madje, përfaqësuesi i tyre Lais Mani edhe para kamerave ka garantuar se “nga Vllaznit Ultras” as nuk ka ardhur dhe as nuk do vijë asnjëherë asnjë problem”. Madje ai i ka bërë thirrje të gjithë gjimnazistëve të Shkodrës për të qenë nesër në stadium për ta mbështetur Vllazninë për fitore ndaj Laçit.

© vllaznia.al