Klubi Vllaznia ndan rrogat dhe shpërblimin e fitores me Kastriotin

284

Drejtuesit e Klubit të Futbollit Vllaznia vazhdojnë të tregohen shumë korrekt në marëdhëniet financiare me skuadrën. Ditën e sotme, nga zyra e financës kanë kaluar në numrat e llogarisë së secilit prej futbollistëve por edhe pjestarëve të stafit drejtues, rrogat e muajit shtator. Por përveç tyre, po sot, futbollistët dhe stafi drejtues kanë marrë edhe shpërblimin prej 300 mijë lekësh të reja, të premtuar nga drejtuesit për fitoren e fundit me Kastriotin. Këto fakte tregojnë edhe njëherë tjetër se tek Vllaznia çdo gjë shkon ashtu siç duhet në anën financiare teksa skuadra likujdohet në kohën e duhur ashtu si është e nënshkruar në kontratat respektive me çdo pjestar të saj. Por përpos rrogave, për t’u përmendur natyrisht është fakti që nuk mungojnë asnjëherë shpërblimet në rast të arritjes së rezultateve pozitive teksa shpërblimi i dhënë për ndeshjen e fundit me Kastriotin, është i pesti i dhënë nga klubi, përfshi këtu si fitoret por edhe barazimet e arritura në ndeshjet në transfertë. Një korrektesë e tillë natyrisht që po jep frutet e veta edhe tek skuadra e cila ka bërë një paraqitje përgjithësisht të mirë në ndeshjet e deritanishme të kampionatit dhe ka premtuar se do të bëjë të njëjtën gjë edhe në vazhdim, duke filluar nga ndeshja e rradhës me Partizanin që do të luhet ditën e shtunë në stadiumin “Selman Stërmasi” në orën 14.00.
© vllaznia.al