Kryebashkiakja Ademi: Kjo është Vllaznia ime!

277

E ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për arsye pune, kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi nuk mund të qëndronte pa ndjekur ecurinë e Vllaznisë së kësaj periudhe dhe për më tepër, ndeshjen e fundit me Skënderbeun. Në një prononcim për “Sport Ekspres” ajo ka bërë të ditur se e ka ndjekur me shumë emocione këtë takim. “Jam nëntë orë lag nga Shqipëria, në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për të ndjekur ndeshjen e Vllaznisë më është dashur të ngrihem në orën 06:00 të mëngjesit, sepse ishte e vetmja mënyrë që ta shijoja atë online. Kisha komunikuar një natë më parë me drejtuesit dhe trajnerin Cungu. U urova sukses dhe u dhashë besim. Siç ju thashë edhe më sipër, ndeshjen e kam ndjekur online dhe më besoni se emocionet më kishin pushtuar sikur të isha prezent në tribunën e “Reshit Rusit. Kur u bë goli, natyrisht ka qenë momenti im më i gëzueshëm. U kënaqa shumë personalisht, por në të njëjtën kohë kisha shumë emocione për vazhdimësinë e takimit, ku, duke ditur forcën e skuadrës kampione, i druhesha sulmeve të Skënderbeut. Por fatmirësisht mbrojtja e jonë dhe e gjithë skuadra në përgjithësi e përballoi me shumë sukses pjesën tjetër të ndeshjes, madje edhe duke sulmuar prapë. Mendoj që skuadra u përpoq shumë, luajtën më mirë se disa ditë përpara në ndeshjen e Kupës. Kishim frymë tjetër në lojën në grup e më shumë dëshirë dhe kurajë. Jam e kënaqur që fituam dhe krenare për këtë Vllazni, kjo është Vllaznia e ime”, shprehet Ademi duke përgëzuar së pari trajnerin Cungu dhe kolegët e tij të stafit teknik për punën e mirë që ka bërë me skuadrën. Por në të njëjtën mënyrë nuk ka munguar të përshëndesë edhe futbollistët, protagonistët e fushës së lojës dhe gjithë drejtuesit e tjerë të klubit Vllaznia që po kontribuojnë për këtë skuadër.
“Tifozët? E lumtur që iu rikthye gëzimi!”
Pjesë e bashkëbisedimit telefonik nga Amerika e largët me kryebashkiaken Ademi ishte edhe tifozëria. “Kisha kohë pa i parë tifozët të lumturuar dhe euforik. Tek i ndiqja direkt që festonin për golin dhe fitoren e arritur ndaj Skënderbeut, pata një ndjesi të veçantë. Jam shumë e kënaqur që me punën tonë këmbëngulëse arritëm tek ndryshmi i situatës, filluam të marrim rezultatet e para pozitive. Hap pas hapi do të ecim përpara. Sigurisht me mbështetje dhe punë besojmë se do t’ia dalim për të siguruar mbijetesën në Superligë e më pas të ecim edhe më tej”, shprehet Ademi.

Meritat e kryebashkiakes
Ka kohë që, krahas punëve dhe halleve jo të pakta përsa i përket jetës dhe aktivitetit të komunitetit të qytetit verior, Vllaznia për të ka qenë një tjetër obligim që kërkonte vëmendjen e duhur. Jo vetëm si kryetare Bashkie dhe presidente e Vllaznisë, por edhe si bija e një sportisti me shumë emër, ish-volejbollistit të famshëm Vehbi Ademi, pa lënë mënjanë që edhe vetë personalisht ka pasur një përvojë pozitive në ekipet e lojërave me dorë të Vllaznisë në kohën e gjimnazit, përgjegjësia bëhej edhe më e madhe për të bërë më të mirën e saj edhe në fushën e sportit. Ashtu siç pati premtuar në marrje të detyrës së saj ndryshimet tek Vllaznia nisen të vinin që nga periudha e fundvitit, fillimisht me formimin dhe miratimit të Bordit të ri mbikëqyrës Vllaznia me një emër të nderuar dhe me përvojë administrative si Shpëtim Quku në krye të tij. Më pas me emërimin e administratorit të ri, Astrit Gjyrezi, edhe ky po aq i njohur dhe me sukses në fushën e administrimit të biznesit, për të vijuar së fundmi që një farë mënyre konsiderohet si “qershia mbi tortë” në emërimin e stafit të ri teknik me në krye trajnerin e suksesshëm, Armando Cungu. Por, jo vetem kaq, sepse paralelisht me operacionet në prizmin organizativ, kryebashkiakja-presidente Voltana Ademi, duke monitoruar me shumë kujdes situatën financiare, jo vetëm që arriti të shlyejë të gjitha detyrimet kontraktuale ndaj futbollistëve aktualë të ekipit, por likuidoi në kohën e duhur edhe detyrimet dhe borxhet e prapambetura me futbollistët e huaj duke shpëtuar Vllazninë nga penaliteti i ndëshkimit të pikëve nga FIFA, siç e pësuan ekipet e tjera. Ndërkohë që pjesë e kësaj përkujdesje ishin edhe kushtet optimale të krijuara për fazën përgatitore dimërore zhvilluar në kampingun ulqinak të Malit të Zi, si dhe pjesëmarrja në merkato me ato futbollistë që kishte nevoja skuadra.

Prag-Teuta, Ademi optimiste për një tjetër rezultat pozitiv
Në mbyllje të bashkëbisedimit me kryetaren e Bashkisë Shkodër, zonjën Voltana Ademi, kishte vend edhe për ndeshjen e radhës, atë që do të luhet këtë fundjavë, ditën e diel në ora 17:00 në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit përballë skuadrës vendëse Teuta. “Do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse Teuta ka bërë një prezantim shumë të mirë në gjysmën e parë të sezonit. Jam informuar se ka humbur në javën e parë të kampionatit me Flamurtarin dhe kjo ndoshta e bën edhe më të vështirë ndeshjen për ekipin tonë. Por duhet të bëjmë të pamundurën për të marrë një rezultat pozitiv dhe për këtë kam besim të plotë tek skuadra se do të luajë shumë e mobilizuar për të arritur një gjë të tillë”, thotë Ademi. Më tej ajo jep dhe mesazhin e saj: “Nuk duhet të jemi euforik, jemi vetëm në fillim të kthesës së shumë pritur, prandaj duhet të punojmë shumë dhe me seriozitet që të arrijmë të mbajmë ritmin e duhur. Nuk është e lehtë deri në fund e ndeshjet janë të vështira. Kam besim tek trajneri dhe tek gjithë stafi teknik. Kur punon përmirësimi ndjehet më fort. Në Shkodër të luash futboll është emocion më vete”.