Rajoviç, operohet me sukses në Kroaci. Kthimi në fushë i largët

251

Mbrojtësi malazez Blazho Rajoviç është operuar. Lajmi konfirmohet nga pjestarë të stafit mjekësor të Vllaznisë të cilët janë interesuar për gjendjen e këtij futbollisti dhe tashmë gjithçka duket ok teksa ai ka filluar periudhën e rikuperimit. Nga sa mësohet, Rajoviç është operuar në një nga spitalet e Kroacisë, pikërisht aty ku pak muaj më parë u operua edhe futbollisti shkodran Xhevahir Sukaj. Të dy kanë patur të njëjtin dëmti, këputje të krociatit të gjurit. Në kushte të tilla, nuk ka patur zgjidhje tjetër përveç ndërhyrjes kirurgjikale. Mbrojtësi malazez i kuqebluve tashmë ndodhet në Podgoricë pranë familjes së tij dhe ka filluar periudhën e fizioterapisë. Nisur nga ajo çfarë kanë thënë mjekët, Rajoviç mund të bëhet gati për të luajtur pas një periudhe 6 mujore, pra i bie nga muaji prill. Parimisht sezoni duket i mbyllur për të ndonëse mund të luajë disa ndeshje të fundit nëse gjithçka shkon mirë. Kujtojmë se mbrojtësi shtatëlartë u dëmtua gjatë ndeshjes Vllaznia- Skënderbeu kur në një moment të lojës ai u detyrua të ndalonte dhe mjekët konstatuan një dëmtim të rëndë të ligamenteve, çka rezultoi më pas e vërtetë dhe prandaj gjërat shkuan drejt operacionit. E rëndësishme është që gjithçka ka shkuar mirë megjithatë ky dëmtim, ka krijuar një boshllëk të madh në mbrojtjen e Vllaznisë dhe kjo po vërtetohet nga ndeshja në ndeshje.
© vllaznia.al