Sot 97 vjetori i lindjes. Gëzuar Vllazni!

263

Dita e sotme ka qenë e veçantë për klubin tonë. Ka festuar 97 vjetorin e krijimit të tij. 16 shkurti i vitit të largët 1919, na bën tashmë të gjithëve krenarë. 75 themeluesit e kësaj shoqnie, ndoshta nuk e dinin rëndësinë që do të merrte “produkti” i tyre.

Do ishte klubi i parë sportiv në Shqipëri, do të ishte vendi ku do dilnin talente të mëdha të futbollit, do ishte skuadra që gjithmonë do të ishte në elitën e kësaj loje magjike. Natyrisht që edhe emrat e dalë janë të shumtë. Duke nisur nga Muhamet Halili i viteve ’30, për të vazhduar me Loro Boriçin, Muc Koxhjen, Ernest Halepjanin, Xhelal Jukën, Dodë Tahirin, Muhamet Dibrën, Bimo Fakjen, Adem Smajlin, me Prek Gjeloshin, Zyhdi Barbullushin, Met Vasinë, Qamil Medjen, Zija Hallunin, me Frederik Çapalikun, Ramazan Rragamin, Selami Danin, Esat Rakiqin, Paulin Ndojën, Medin Zhegën, Sabah Bizin, me Astrit Hafizin, Fatmir Paçramin, Ismet Hoxhën, Lekë Koçobashin, Hajrullah Lekën, me Ferid Rragamin, Luan Vukatanën, Roland Luçin, Hysen Zmijanin, Fatbardh Jerën, Hysen Dedjen. Për të vazhduar me Edmir Bilalin, Ilir Kepajn, Lulëzim Bërshemin, Isak Pashajn, Viktor Brizën, me Zamir Shpuzën, Agron Likën, Avenir Danit, Aziz dhe Bujar Grudën e më vonë me Astrit Prençin, Alban Nogën, Edi Martinin, Brikeno Bizin, Suad Licin, Armando Cungun, Safet Osjen, Vioresin Sinanin, Armir Grimën, me Elvin Beqirin, Amarildo Belishën, Hamdi Salihin, Admir Telin, Xhevahir Sukajn, Bekim Balën, Armando Vajushin dhe për të përfunduar tek brezi më i fundit i përfaqësuar nga kapiteni aktual Shtubina. Secili prej tyre, por edhe qindra të tjerë që kanë kontribuar në vite për ngjyrat kuqeblu, ka dhënë secili kontributin e tij tek kjo skuadër. Natyrisht që Vllaznia e viteve të fundit nuk i ka kënaqur tifozët e saj. Me të drejtë, ata presin shumë më tepër. Megjithatë skuadra e këtij viti duket se jep shpresë. Sigurisht që duhet shumë punë për ta ngritur në nivele të larta megjithatë të shpresojmë që të nisë një projekt i ri dhe serioz. Një nga tifozët e zjarrtë të Vllaznisë na shkruante sot që për 100 vjetorin e klubit, të kishim një Vllazni kampione. Dëshira është e madhe për të gjithë, pse jo edhe për 98 apo 99 vjetorin. Sot gjithsesi ka qenë ditë feste dhe si e tillë, është momenti edhe për të kthyer kokën pas, për atë çfarë kjo skuadër ka dhuruar në 97 vitet e ekzistencës së saj. Nuk na mbetet gjë tjetër veç të themi: Gëzuar Vllazni!