Vllaznia B e nis me fitore kampionatin. Mund 2-0 Luzin

289

Pasditen e sotme ekipi i Vllaznisë B ka zhvilluar ndeshjen e tij të parë në kampionatin e kategorisë së parë (e para ngaqë sipas shortit në javën e parë e kishte pushim). Në ndeshjen e luajtur në “Reshit Rusi”, përballë saj ka qenë ekipi Luzi 2008. Trajneri Ervis Kraja e nisi ndeshjen me këtë formacion: Vjerdha, Mehmedaj, Balaj, Kukaj, Ruqi, Dyca, Kruja, Markolaj, Hasanaj, Lushaj dhe Dibra. Loja natyrisht që është dominuar nga ekipi ynë dhe pa kaluar shumë minuta, do të vinte edhe goli i parë i ndeshjes. Arenc Dibra do të shënonte golin e avantazhit ndërsa pak minuta më vonë është Denis Balaj që me anë të një 11-metërshi, shënon edhe golin e dytë, atë të sigurisë. Pjesa e parë do të mbyllej me këtë rezultat. Në të dytën, pavarësisht përpjekjeve të të dy ekipeve, nuk do të kishte gol tjetër. Përfundimisht 2-0 për Vllazninë B që e nis kampionatin me fitore. Duhet theksuar se pjesmarrja e këtij ekipi në këtë kategori është vlerësuar shumë nga ana e drejtuesve të klubit. Jo më kot, për ta ndjekur këtë ndeshje kanë qenë të pranishëm administratori Gjyrezi, drejtori sportiv Zeka si dhe tre trajnerët e ekipit të parë, Cungu, Maxhar dhe Dani. Ky ekip po shikohet me prioritet prej tyre dhe kjo shikohet edhe me kalimin e disa lojtarëve nga ekipi i parë tek ai. Javën e ardhshme, Vllaznia B do të luajë në kryeqytet ndaj Kevitanit dhe sigurisht që objektivi është i njëjtë: fitorja e këtij takimi.

© vllaznia.al