Vllaznia bën realitet një tjetër blerje. Firmos me Elis Bakajn

240

Elis Bakaj firmos për Vllazninë. Pasditen e sotme, KF Vllaznia ka bërë realitet marrjen e një tjetër lojtari cilësor. Bëhet fjalë për Bakajn, i cili ka firmosur për të qenë pjesë e skuadrës tonë deri në fund të këtij sezoni. Një marrëveshje e cila është mbyllur me sukses pas shumë negociatash nga drejtuesit e klubit me lojtarin i cili kishte edhe oferta të tjera por në fund është bindur për t’u veshur kuqeblu. Pas hedhjes së firmës në kontratë, Bakaj është prezantuar para gazetarëve nga drejtori sportiv i klubit Eugent Zeka. Ka ndodhur kështu përpara nisjes së seancës stërvitore të pasdites së sotme. Blerja më e re e Vllaznisë, në prononcimin e tij të parë si futbollist i sajështë shprehur i kënaqur për zgjedhjen e bërë dhe ka premtuar se do të japë maksimumin që skuadra e tij e re të arrijë objektivat që ka. “Sot u mbyll zyrtarisht transferta ime tek Vllaznia. është një ekip që ka bërë emër në futbollin shqiptar dhe të them të drejtën jam i kënaqur që do të jemi pjesë e tij. Kam ardhur të jap maksimumin tim për ta ndihmoj për të arritur objektivat që ka për këtë sezon. Jam i kënaqur që do jem pjesë e Vllaznisë sepse nga gjiri i saj në vite kanë dalë emra shumë të mëdhenj të futbollit shqiptar dhe po ashtu, ka tifozë të mrekullueshëm që e mbështesin fuqishëm atë dhe për të gjitha këto, e pranova me kënaqësi ftesën që më bënë drejtuesit e klubit”- është shprehur ai. Bakaj në këtë mënyrë nis një përvojë të re në futbollin shqiptar por e para për të tek Vllaznia. Një skuadër që ai nuk e njeh shumë nga afër, por di shumë gjëra për të e prandaj shton: “Nuk është se e njoh qind për qind gjendjen e ekipit por fakti që në gjirin e saj janë disa lojtarë me përvojë me të cilët unë kam luajtur edhe më përpara, është një plus. Përpos kësaj, pjesë e tij janë edhe disa lojtarë të rinj që
kanë kualitet por u duhet më shumë besim sepse në kampionatin shqiptar diferencat janë shumë të vogla. Nëse hyn në fushë me mendimin për të fituar, mund t’ia dalësh ndaj çdo kundërshtari. Besoj se me pak më shumë besim, ekipi do të arrijë të dalë aty ku e duan njerëzit që e rrethojnë, tifozët dhe gjithë shkodranët”. Lajmi i firmosjes së tij me kuqeblutë është pritur mirë në Shkodër dhe tashmë tifozët duan ta shohin që të mërkurën në fushë por vetë lojtari shprehet se kjo gjë i takon trajnerit për ta vendosur. “Nuk jam në formën time më të mirë sepse kam dy muaj që nuk luaj në ndeshje zyrtare megjithatë jam profesionist dhe prandaj jam stërvitur rregullisht, jam stërvitur edhe me ekipin e Tiranës dhe prandaj besoj se shumë shpejt do të arrij formën time maksimale. Dëshira ime është të debutoj që të mërkurën me Teutën por kjo është në dorën e trajnerit. E vendos ai se kur do të luajë apo jo”- thotë Bakaj. 29 vjeçari ka firmosur deri në fund të sezonit me Vllazninë dhe gazetarët sigurisht që e kanë pyetur edhe për të ardhmen, megjithatë vetë ai ka lënë gjithçka të hapur kur ka deklaruar: “Nuk dua të flas për të ardhmen sepse është shumë herët. Kam firmosur që të luaj deri në fund të këtij sezoni me Vllazninë dhe ta ndihmoj atë për të arritur objektivat që ka, pastaj t’ia lëmë kohës se çfarë do të ndodhë për vazhdimësinë”. Në fund të prononcimit të tij, Bakaj ka lëshuar një mesazh edhe për tifozërinë shkodrane që ai e konsideron të veçantë duke i thënë: “Tifozëria shkodrane është ndër më të veçantat në Shqipëri. Ajo e dashuron futbollin dhe e mbështet fuqishëm skuadrën e saj të zemrës por unë do u kërkoja diçka ndonëse jam i ri tek kjo skuadër: Të mbështesin futbollistët sepse ata kanë nevojë për ta, për më tepër në momente të vështira dhe sëbashku ta çojmë Vllazninë aty ku të gjithë e dëshirojnë. Ju premtoj se këtu nuk kam ardhur sa për të kaluar rradhën por ta ndihmoj në maksimum ekipin”. Elis Bakaj konsiderohet një përforcim shumë i rëndësishëm nga drejtuesit e klubit por drejtori sportiv Zeka në një komunikim me mediat sot, ka bërë të ditur se deri në afatin përfundimtar të mbylljes së merkatos, nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe ndonjë tjetër ardhje tek Vllaznia.

© vllaznia.al