Vllaznia e minifutbollit mund Flabinën 7-4 në fund të fazës së parë

265

Vllaznia e futsallës e ka mbyllur me fitore fazën e parë të kampionatit. Ajo ka mundur pasditen e sotme ekipin e Flabinës me rezultatin 7-4. Ndeshja është luajtur në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit. Në fakt, ky takim duhej të ishte zhvilluar ditën e dielë por për shkak të disa veprimtarive të organizuara nga forca të ndryshme politike në këtë impiant sport, ai ishte shtyrë për sot. Djemtë shkodranë e kishin vlerësuar shumë këtë takim sepse donin ta fitonin atë për të kompesuar edhe gabimet e bëra në ndeshjet e luajtura në Shkodër. Dhe në fakt kështu ka ndodhur teksa gjërat kanë shkuar mirë dhe Vllaznia ka fituar duke mos e vënë asnjëherë në dyshim këtë rezultat. Autorë të golave për të kanë qenë Besfort Gjoklaj që ka shënuar dy herë, po kaq gola ka shënuar edhe Erjon Mandi ndërsa nga një gol kanë shënuar Erind Mlloja, Arsid Çoba dhe Fatos Behari. Me trepikëshin e marrë sot, kuqeblutë e presidentit Zyhdi Rrashketa e kanë mbyllur në vendin pestë fazën e parë të kampionatit me shtatë pikë të grumbulluara, duke qenë vetëm dy pikë larg vendit të katërt, vend që siç dihet të çon në play-off. Pavarësëisht këtij pozicionimi, sigurisht që shkodranët kanë pretendimet e tyre për të qenë në mes katër ekipeve më të mira në fund të kampionatit dhe pse jo për të synuar titullin kampion. Nuk përjashtohet mundësia që në fazën e dytë të ketë të tjera përforcime cilësore në skuadër për të arritur pikërisht këto objektiva.
© vllaznia.al