Vllaznia- Flamurtari, të mërkurën ora 14.00 në “Loro Boriçi”

326

Të mërkurën do të luhet një ndeshje shumë e rëndësishme për ekipin e Vllaznisë. Bëhet fjalë për takimin me Flamurtarin që do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”, takim ky i vlefshëm për turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Ky është takimi i parë i këtij turi ndërkohë që takimi i kthimit do të luhet pas dy javësh në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës. Për ndeshjen e nesërme që do të nisë në orën 14.00, duket se interesimi në Shkodër është më i madh në krahasim me ndeshjet e kaluara dhe kjo pritet të reflektohet edhe në numrin e tifozëve që mendohet të jenë të pranishëm në shkallët e stadiumit.  Edhe pse në dy javët e para të 2014-tës, skuadra kuqeblu nuk mori më tepër se një pikë, për mënyrën se si luajti në fushën e lojës, vlerësimet nga ana e specialistëve nuk munguan. Është kjo formë sportive që skuadra po e pasqyron në rritje nga ndeshja në ndeshje, e cila jep garancinë e duhur që Vllaznia, me pak kujdes, i ka të gjitha mundësitë të mbijetojë në kampionat, ndërkohë që duke qenë pjesë e çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, ka një shans të “artë” për të kapur Europën perms këtij kompeticioni. Brenda javës, djemtë e Canajt do të përballen në dy sfida shumë të rëndësishme, të mërkurën për Kupë në Shkodër me Flamurtarin dhe në fundjavë në transfertën krutane me Kastriotin për kampionat. Që të dyja kanë rëndësinë e vet, por përpara asaj të fundjavës, përqendrimi është i tëri tek ballafaqimi i parë çerekfinal i Kupës me vlonjatët, ndeshje e cila do të luhet ditën e mërkurë, në ora 14:00, në stadiumin “Loro Boriçi”. Kuqeblutë kanë zhvilluar mesditën e sotme seancën e fundit në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe në të ka marrë pjesë edhe drejtori sportiv Armir Grima i cili ka folur para skuadrës për rëndësinë e ndeshjes dhe të situatës ku ndodhet skuadra aktualisht. Ekipi pasdite ndërkohë është grumbulluar në ambjentet e hotel “Meteor” ku do kalojë natën në pragndeshjen me vlonjatët. Besimi për suksesin është i madh dhe kjo pritet të konkretizohet në fushën e lojës ditën e nesërme.
© vllaznia.al