Vllaznia gabon rëndë në “Loro Boriçi”. Barazon 1-1 ndaj Korabit

266

Vllaznia gabon rëndë në ndeshjen më të lehtë të sezonit ndoshta, atë ndaj Korabit. Në takimin e luajtur në “Loro Boriçi”, kuqeblutë kanë barazuar 1-1 duke bërë në këtë mënyrë që t’i komplikojë jo pak punët për arritjen e objektivit që ata kanë në këtë fund-kampionati. E luajtur pa tifozë për shkak të dënimit të fushës, kjo përballje nisi më mirë për kuqeblutë që krijojnë disa raste në fillim megjithatë loja e tyre nuk ngjitet në lartësinë e duhur. Megjithatë, në minutën e 44-të Gurishta godet saktë me kokë një top të ardhur nga këndi, duke e kaluar në avantazh ekipin e Vllaznisë. Pjesa e parë mbyllet 1-0. Në fillimin e pjesës së dytë, vjen goli i barazimit për Korabin. Një tjetër goditje këndi dhe është kapiteni Premçi që godet saktë me kokë dhe barazon shifrat. Pas këtij momenti, kuqeblutë zgjohen dhe në minutat e fundit do krijojnë disa raste shënimi. Në minutën e 81-të Pjeshka godet me kokë dhe topi përplaset në shtyllë dhe e njëjta gjë edhe në minutën e 90-të nga Bakaj. Edhe tre minutat e shtesës nuk sjellin asgjë dhe përfundimisht barazim 1-1.

www.vllaznia.al