Vllaznia gabon sërish në Shkodër. Mundet 1-2 nga Kukësi

239

Vllaznia bën një tjetër hap të gabuar. Në ndeshjen e luajtur pasditen e së shtunës ndaj Kukësit, ajo ka humbur me rezultatin 1-2. Ndonëse kaluan të parët në avantazh, kuqeblutë nuk arritën dot ta ruajnë atë dhe për këtë arsye, me këtë humbje ata tashmë rrezikojnë seriozisht rënien nga Superliga. Në takimin e luajtur në “Reshit Rusi”, gjithçka nisi mirë. Në minutën e 10-të ka një goditje dënimi në hyrje të zonës mike dhe mbrojtësi Endri Vrapi e ekzekuton në mënyrë të shkëlqyer duke e dërguar topin në rrjetë. Një gol I shpejtë I cili dha shpresat e marrjes së një fitoreje në këtë takim. Edhe ecuria më pas, për disa minuta flet në favor të vendasve që ushtrojnë më tepër presion dhe po ashtu, arrijnë të krijojnë edhe dy-tre raste të tjera. Pikërisht në këto momente, do të vinte goli I barazimit për kukësianët. Pas një rrëmuje në zonën e Vllaznisë, Emini shumë pranë portës arrin ta dërgojë topin në rrjetë. Me këtë gol do të mbyllej pjesa e parë. Në të dytën pritej njëfarë ndryshimi tek skuadra shkodrane dhe trajneri Cungu hedh në lojë edhe sulmuesin Dibra. Megjithatë rastet nuk janë të favorshme dhe atë që se bën ajo, e bën skuadra e Kukësit e cila në minutën e 70-të do të shënonte edhe golin e dytë dhe të fitores. Shkodrani Edon Hasani, lihet I lirë në hyrje të zonës dhe ai godet fort me të djathtën duke e dërguar topin në rrjetë. Në minutat e mbetura, megjithë përpjekjet e vendasve, nuk do të ketë gol tjetër. Vllaznia në këtë mënyrë humbet me rezultatin 1-2 ndaj Kukësit dhe me këtë humbje, kuqeblutë tashmë I kanë vështirësuar edhe më shumë pozitat e tyre në renditje në përpjekjet për të qëndruar në Superligë.

© vllaznia.al