Vllaznia humbet edhe ndaj Skënderbeut

246

Vllaznia nuk ia ka dalë të marrë pikë as me Skënderbeun pavarësisht dëshirës dhe përpjekjeve të bëra. Në fund të takimit të luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi” është sigluar rezultati 1-4 në favor të ekipit mik. Një rezultat që në fakt nuk pasqyron atë çfarë ka prodhuar loja në 90 minutat e saj. Ka qenë Vllaznia ajo që ka kaluar e para në avantazh që në ‘6. Pas një goditje dënimi, Lika kroson në zonë dhe aty Berisha është i saktë në goditjen e tij me kokë duke e dërguar topin në rrjetë. Një gol që sjell entuziasëm në stadium. Në minutën e 19-të Çinari mund të kishte shënuar edhe golin e dytë por përballë portierit Shehi nuk arrin ta çojë topin në rrjetë. Ndërkohë në minutën e 31-të Vangjeli barazon shifrat. Pjesa e parë do të mbyllej në barazim 1-1. Në të dytën ka përpjekje të futbollistëve shkodrane për të shënuar golin e dytë. Por gjithçka ndryshon në ’61. Arbitri Jorgji akordon me shumë vonesë një 11-metërsh, vetëm pas sinjalizimit të anësorit dhe nga pika e bardhë Lilaj shënon golin e dytë për Skënderbeun. Vllaznia sërish përpiqet, kërkon me ngulm të barazojë por nuk ia del. Si rrjedhojë e një kundërsulmi, është sërish ekipi mik që shënon golin e tretë në ’75 me anë të Muzakës dhe në të 88-ën edhe të katërtin me Xhejms. Përfundimisht 1-4 në favor të ekipit korçar.

© vllaznia.al