Vllaznia rikthen në skuadër sulmuesin Arenc Dibra

244

Problemet që stafi teknik I Vllaznisë ka hasur në merkato për gjetjen e një sulmuesi cilësor, kanë detyruar atë që të hedhë sytë edhe nga shkodranët që luajnë në ekipet e tjera. Për këtë arsye, trajneri Cungu ka kërkuar që të ketë në dispozicion sulmuesi Arenc Dibra që ka luajtur së fundi me ekipin e Besëlidhjes së Lezhës. Ky I fundit sigurisht që nuk mund t’I thoshte “jo” një oferte të ardhur nga Vllaznia. Prandaj pasi ka arritur të marrë dokumentacionin tek klubi lezhjan, mesditën e sotme ka mbyllur bisedimet me administratorin e klubit shkodran Astrit Gjyrezi dhe kanë rënë dakord që të firmosin kontratën e re që do ta mbajë sulmuesin 25 vjeçar të veshur kuqeblu për një sezon e gjysëm. Të dyja palët kanë qenë të kënaqur me marrëveshjen e re dhe nga dita e nesërme Dibra do t’I bashkohet ekipit në stërvitje duke qenë kësisoj një forcë më shumë për sulmin në dispozicion të trajnerëve. Përveç tij, pritet që nesër të mbyllet marrëveshja edhe me mbrojtësin shqiptaro- malazez Ronaldo Rudoviç. 19 vjeçari ka shfaqur të dhëna të mira gjatë këtyre ditëve që ka qenë në stërvitje me ekipin dhe trajneri Cungu ka kërkuar ta ketë të gatshëm për pjesën e mbetur të sezonit si një alternativë më shumë për repartin e mbrojtjes. Për momentin kjo pritet të jetë lëvizja e fundit në merkaton e Vllaznisë megjithëse nuk përjashtohet mundësia të ketë edhe ndonjë lëvizje të fundit ngaqë afati përfundimtar I mbylljes së saj është mesnata e së hënës.

© vllaznia.al