Vllaznia, tjetër hap i gabuar. Mundet edhe në Vlorë 1-3 nga Flamurtari

247

Ekipi shkodran vazhdon momentin “jo” të tij. Pasditen e sotme ai ka arritur rezultatin e tretë negativ rradhazi, nëse quajmë të tillë edhe barazimin në Shkodër me Bylisin dhe humbjen më pas me Besën. Kjo ngaqë është mundur edhe në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës nga skuadra vendase me rezultatin 3-1. Një ndeshje që në fakt nuk duhej të kishte këtë rezultat. Ndeshja nisi mirë për kuqeblutë që nëse do të ishin treguar pak më të kujdesshëm, edhe mund të kishin kaluar në avantazh. Por në minutën e 13-të të ndeshjes do vinte 11-metërshi për vlonjatët. Një pengim i Pepës nga Sykaj në hyrje të zonës, fillimisht akordohet goditje dënimi mbi vijën e zonës nga gjyqtari kryesor Jorgji por më pas është anësori Ganxhi që vendos për pengim brenda zone dhe për rrjedhojë ka 11-metërsh. Ekzekuton saktë kapiteni Zeqiri dhe megjithë përpjekjet e Vujadinoviç, topi përfundon në rrjetë. Loja  vjen e rritet. Vllaznia nuk është dakord me disavantazhin por në fazën finale, lojtarët e saj gabojnë në pasimin e fundit. Pepa ndërkohë në një rast të volitshëm, duhej të kishte dyfishuar rezultatin. Atë që se bën ai, do ta bënte Hajdari. Në limitin e pjesës së pari, ai ka kalibruar saktë të djathtën dhe topi prehet në rrjetë. Pjesa e parë mbyllet kësisoj 2-1. Në të dytën gjërat do marrin rrjedhë tjetër. Belisha largohet i dëmtuar dhe vendin e tij e zë Bardulla. Në dy momente, Bushiç dhe Semina dalin të vetëm përballë Moçkës por nuk arrijnë dot të shënojnë. Atë që se bënë ata, e bën Flamurtari. Në minutën e 71-të, një goditje dënimi për vendasit, topi shkon në zonë dhe nga terreni i rrëshqitshëm nuk zotërohet nga portieri Vujadinoviç. Përfiton aty Abilaliaj që krejtësisht i lirë shënon. Tetë minuta më vonë, do vinte edhe goli i tretë për kuqezinjtë. Zeqiri harrohet në zonën shkodrane nga mbrojtësit e saj dhe ai nuk e ka të vështirë të shënojë golin e tretë. Përfundimisht 3-1 për Flamurtarin që ngjitet në kuotën e 17 pikëve, po aq sa edhe Vllaznia. Për këtë të fundit, një situatë krejtësisht e pakuptimtë. Nga ai fillim i shkëlqyer i kampionatit, vjen kjo luhatje dhe kjo është e pafalshme. Skuadra ka lëshuar terren dhe sigurisht që diçka duhet ndryshuar. Madje sa më shpejt të jetë e mundur sepse kalendari i ndeshjeve të ardhshme është shumë i vështirë, duke filluar nga ndeshja e së dielës të ardhme me Kukësin në “Loro Boriçi”.
Formacioni i Vllaznisë në ndeshjen e sotme ishte ky: Vujadinoviç, Semina, Kraja (Gocaj 74′), Sykaj, Baci, Shtubina (Gjini 80′), Belisha (Bardulla 53′), Tafili, Kruja, Hajdari, Bushiç.
© vllaznia.al