Vllaznia U-19 fiton 3-0 në Elbasan. Vllaznia U-17 humbet 1-2

269

Vllaznia U-19 vazhdon serinë e fitoreve dhe ruajtjen e vendit të parë në renditje. Ajo ka luajtur sot në transfertën e Elbasanit ndaj skuadrës vendase dhe ka triumfuar me rezultatin e pastër 3-0. Kundërshtari në fakt nuk ka qenë i ndonjë niveli shumë të lartë megjithatë ai është munduar t’i bëhet pengesë skuadrës së drejtuar nga trajneri Luan Zmijani por nuk ia ka dalë. Vllaznia ka luajtur më mirë, e ka dominuar gjithë ndeshjen dhe ka arritur të shënojë tre gola pa pësuar asnjë. Autorë të golave për ekipin shkodran kanë qenë Erald Çinari që ka shënuar dy herë në këtë ndeshje si dhe një gol nga Rahul Çokaj. Me fitoren e sotme, kuqeblutë janë ngjitur në kuotën e 30 pikëve pas 12 ndeshjeve të luajtura teksa kanë arritur të fitojnë 9 prej tyre, kanë barazuar 3 ndërkohë që nuk e njohin shijen e humbjes. Shumë interesant edhe golaverazhi i kësaj skuadre me 38 gola të shënuar, më shumë se tre mesatarja për ndeshje, dhe ka pësuar vetëm 12. Me një ecuri të tillë duket se gjasat e këtij ekipi janë për t’u shpallur kampion sivjet megjithatë është herët për të menduar për diçka të tillë.
Nëse kanë fituar 19 vjeçarët e Vllaznisë, nuk ka ndodhur kështu me 17 vjeçarët. Edhe ata kanë luajtur në Elbasan por kundërshtari i tyre ka patur pretendime dhe prandaj ka qenë një ndeshje e fortë. Shkodranët kanë kaluar të parët me anë të Mario Kolës. Megjithatë në pjesën e dytë gjërat kanë ndryshuar. Kuqeblutë kanë humbur disa raste të pastra shënimi dhe atë që nuk e bënë ata, e bënë elbasanasit. Ata fillimisht kanë barazuar dhe në minutat shtesë kanë arritur të shënojnë edhe golin e dytë dhe të fitores. Ndeshja kësisoj është mbyllur në shifrat 2-1 për Elbasanin ndërkohë që Vllaznia mbetet sërish në kuotën e 24 pikëve pas kësaj jave. Të mërkurën luhen ndeshjet e javës së 13-të të kampionatit dhe ekipet e Akademisë Vllaznia do të presin në Shkodër ekipet e Kukësit.
© vllaznia.al