Vllaznia U-19 fiton edhe në Pogradec dhe kryeson renditjen

251

Vllaznia U-19 vazhdon e sigurtë rrugën drejt titullit kampion duke u treguar e pandalshme edhe në ndeshjen e rradhës të luajtur dje në Pogradec ndaj skuadrës vendase. Në fund të ndeshjes, shoqëruar me shumë probleme gjykimi, kuqeblutë e trajnerit Samuel Nikaj kanë fituar 1-0 me golin e mesfushorit Dyca në pjesën e dytë. Takimi ka qenë i fortë sepse edhe vendasit kanë tentuar t’i ndalin shkodranët, madje duke patur përkrah edhe gjyqtarin e ndeshjes që ka qenë nga Korça. Ky i fundit ka dhënë dy kartona të kuq për futbollistët e Vllaznisë në pjesën e dytë për Balën dhe Vecajn megjithatë nuk ka arritur dot ta ndalë këtë skuadër e cila gjithsesi ka fituar 1-0 duke marrë kështu fitoren e katërt rradhazi dhe duke kryesuar tabelën e renditjes me pikë të plota. Ajo që vlen për t’u theksuar është edhe golaverazhi i këtij ekipi, me 11 gola të shënuar dhe asnjë të pësuar deri tani. Por ndërsa Vllaznia U-19 ka arritur të fitojë, nuk ka mundur ta bëjë të njëjtën gjë Vllaznia U-17, e cila edhe ajo ka patur probleme me gjykimin. Madje, këtu ndoshta gabimet kanë qenë më të mëdha edhe sepse gjyqtari i ndeshjes çuditërisht ka qenë pogradecar në një ndeshje të luajtur në Pogradec. Ky gjyqtar i ka dhënë një 11-metërsh të dyshimtë skuadrës së qytetit të tij por nuk ka bërë të njëjtën gjë për Vllazninë kur ndërhyrja ndaj Rahovës detyrimisht duhej të ishte shoqëuar me 11-metërsh në favor të Vllaznisë. Gjykimi ka qenë njëra anë e medaljes por duhet theksuar se këtij ekipi I kanë munguar në këtë ndeshje edhe tre futbollistët e grumbulluar në kombëtare e pikërisht Hebaj, Rajçeviç dhe Kaçubela. Pogradecarët kanë shënuar dy herë të parët dhe më pas ka qenë Pusi ai që ka ngushtuar shifrat për kuqeblutë por kjo nuk ka mjaftuar. Ndonëse futbollistët e trajnerit Volumi kanë rritur presionin për të shënuar edhe golin e barazimit, nuk ia kanë dalë dot dhe për këtë arsye, e kanë humbur ndeshjen me rezultatin 2-1. Pas javës së katërt, Vllaznia U-17 ndodhet në kuotën e 4 pikëve duke qenë poshtë mesit të renditjes.
© vllaznia.al