Vllaznia U-19 fitore 1-0 ndaj Tiranës, Vllaznia U-17 humbet 1-2

263

E diela që lamë pas nuk ka dhuruar vetëm sfidën e ekipeve të para në mes Tiranës dhe Vllaznisë. Në kryeqytet janë ndeshur dhe ekipet e Akademisë Vllaznia me ato të Tiranës. Djemtë e U-19 kanë zhvilluar një ndeshje të mirë dhe kanë arritur të fitojnë me rezultatin 1-0 ndaj bardhebluve. Ata kanë patur shumë raste shënimi edhe në pjesën e parë të ndeshjes, por goli I fitores është shënuar vetëm në pjesën e dytë me anë të Uendi Vecajt, pikërisht në minutën e 65-të të takimit. Me këtë trepikësh, skuadra e drejtuar nga trajnerët Amarildo Belisha dhe David Lleshi është ngjitur në kuotën e 58 pikëve duke mbajtur vendin e dytë në renditje sepse në vend të parë vazhdon të jetë Shkëndia e Tiranës e cila këtë javë fitoi vetëm në minutën e 90-të ndaj Skënderbeut. Ndërkohë Vllaznia U-17 ka humbur ndaj bardhebluve. Kuqeblutë në fakt kanë arritur të shënojnë të parët. Ka qenë mesfushori Parubi ai që ka shënuar në minutën e 26-të duke kaluar në avantazh ekipin e tij. Por ky avantazh ka zgjatur vetëm deri në fillim të pjesës së dytë sepse Tirana e ka rritur presionin dhe për këtë arsye, ka arritur të shënojë dy gola, duke e kthyer rezultatin në favor të saj. Ndonëse djemtë e drejtuar nga Alban Volumi dhe Nikolin Leka janë munduar të barazojnë, nuk ia kanë dalë dot dhe për rrjedhojë, I gjithë takimi është mbyllur me fitoren e vendasve me rezultatin 2-1. Me këtë humbje, Vllaznia ka mbetur sërish në vendin e katërt në renditje duke qenë gjithsesi Brenda zonës së plej- ofit.
© vllaznia.al