Zmijani: Do tentojmë të marrim pikë nesër ndaj Tiranës në “Qemal Stafa”

262

Vllaznia ndonëse me shumë mungesa, do të tentojë të marrë pikë nesër në ndeshjen e rradhës, atë që do të luajë në kryeqytet ndaj Tiranës. Kjo është deklarata e bërë pak minuta më parë nga ana e trajnerit të saj Luan Zmijani, pikërisht në konferencën për shtyp të pragndeshjes. Ajo është zhvilluar në ambjentet e stadiumit pasi seanca e fundit stërvitore është zhvilluar pikërisht në tapetin e gjelbër të tij. “Objektivat tona janë të qarta për të bërë maksimumin në çdo ndeshje. Nuk luajmë për askënd dhe nuk na intereson aspak se kush del kampion. Luajmë për veten tonë, për dinjitetin tonë. Kemi shumë mungesa dhe kjo është një gjë shqetësuese sepse që nga dita kur kam marrë këtë detyrë, asnjëherë nuk e kam patur skuadrën të plotë. Më është dashur të gjej mënyra të ndryshme vendosje për ta përshtatur skuadrën e kështu do ndodhë edhe ndaj Tiranës. Kuptohet që objektivi është për të marrë pikë edhe ndaj saj. Një apo tre, kjo mbetet për t’u parë ndonëse dëshira është ta fitojmë këtë ndeshje. Pozitiv është fakti që do të luajmë në një fushë të mirë si ajo e “Qemal Stafës” që do t’i ndihmojë futbollistët të shprehin vlerat e tyre të vërteta”- ka thënë Zmijani. Vllaznia do të niset mesditën e nesërme drejt kryeqytetit dhe siç dihet, në dispozion të saj për fitoren e këtij takimi do jetë shuma prej 10 milionë lekësh ndërsa për barazimin do të marrë 5 milionë lekë, shpërblime këto të akorduara nga administratori i klubit dhe Bordi drejtues i tij.
© vllaznia.al