Akademia Vllaznia dy fitore ndaj ekipeve Brian’s dhe Vllaznimi

241

Ditën e sotme janë zhvilluar ndeshjet e javës së tretë të kampionateve kombëtare të Superligës për moshat. Dy ekipet e Akademisë Vllaznia kanë arritur dy fitore në këto ndeshje teksa kanë mundur Brian’s dhe Vllaznimin. Vllaznia U-17 ka luajtur e para përballë ekipit lezhjan që drejtohet nga Gjergj Filipi. Skuadra shkodrane e drejtuar nga Alban Volumi dhe Nikolin Leka, ka arritur të marrë fitoren e parë në kampionat teksa ka fituar 1-0 me gol të shënuar nga sulmuesi Belajdi Pusi në pjesën e dytë. Me fitoren e sotme, ky ekip është ngjitur në kuotën e 4 pikëve duke qenë në mesin e tabelës së renditjes por duke parë natyrisht për më lart. Pas këtij takimi është zhvilluar në fushën sportive “Reshit Rusi” ai në mes 19 vjeçarëve shkodranë të Vllaznisë dhe Vllaznimit. Derbi nuk ka prodhuar një luftë të fortë sportive sepse skuadra kuqeblu e drejtuar nga Samuel Nikaj dhe Ideal Lekiqi ka fituar lehtësisht 6-0 ndaj asaj të drejtuar nga Altin Xhahysa. Autorë të golave për Vllazninë në këtë ndeshje ishin Blinishta, Fangaj, Çinari (2), Nikaj dhe Dyca. Pas tre javësh, Vllaznia U-19 udhëheq renditjen e kampionatit me 9 pikë të plota teksa ka shënuar 10 gola dhe nuk ka pësuar asnjë.

www.vllaznia.al