Akademia Vllaznia, fiton U-17 në Korçë 4-1, U-19 barazim 1-1

241

Ekipet e Akademisë Vllaznia i kanë luajtur ditën e sotme ndeshjet e tyre të rradhës për kampionat. Pikërisht, ata kanë qenë në Korçë për të luajtur ndaj ekipeve të Skënderbeut. Shkodranët kishin udhëtuar që pasditen e djeshme drejt qytetit juglindor ndërkohë që ndeshja e parë e luajtur sot, ka qenë ajo e 17 vjeçarëve. Vllaznia e drejtuar nga Alban Hasani dhe Alban Noga e ka dominuar totalisht takimin. Pjesa e parë është mbyllur 2-0 për të, me dy gola të shënuar nga sulmuesi Rubin Hebaj. Në pjesën e dytë edhe dy gola të tjerë për kuqeblutë me anë të Hebajt sërish (që shënon kësisoj një tripletë) dhe të Blinishtës. Në fund të takimit Skënderbeu ka shënuar golin e nderit por që nuk i ka shërbyer për asgjë se Vllaznia ka fituar 4-1. Me fitoren e sotme, Vllaznia U-17 është ngjitur në kuotën e 34 pikëve duke mbajtur vendin e katërt në renditje. Pas këtij takimi është luajtur ai i 19 vjeçarëve. Vllaznia ka shënuar e para me anë të Çinarit pas ekzekutimit të saktë të një goditje dënimi. Pas këtij goli, shkodranët patën edhe shumë raste të tjera për të shënuar, kanë goditur edhe shtyllën por gol jo. Si pasojë, në minutën shtesë të ndeshjes, Skënderbeu ka arritur të barazojë dhe kësisoj i gjithë takimi është mbyllur në barazim 1-1. Pavarësisht këtij rezultati, shkodranët vazhdojnë të jenë në vendin e parë në renditje, të shkëputur nga ndjekësit e tyre dhe shumë pranë shpalljes kampionë të vendit.
© shkodrasport.com