Akademia Vllaznia me dy ekipe, miqësore në Podgoricë të premten

250

Dy ekipe të Akademisë Vllaznia, ai i 17 dhe 19 vjeçarëve, do të zhvillojnë dy ndeshje miqësore ditën e premte në Podgoricë. Ata do ndeshen me moshatarët e tyre të Buduçnost. Këto miqësore do të zhvillohen në kuadrin e bashkëpunimit që sapo ka nisur në mes dy Akademive respektive pas marrëveshjes së arritur dy drejtorëve respektivë, Armir Grimës dhe Budimir Miranoviç. Të dy takimet, do të luhen në kompleksin e Buduçnost dhe ndeshja e parë do të jetë ai në mes ekipeve të 17 vjeçarëve. Ky do të jetë takimi i parë për trajnerin Alban Hasani në krye të Vllaznisë dhe për rrjedhojë do të ketë mundësinë që në këtë përballje me malazezët, të bëjë edhe ndryshimet e para në vendosje apo dhe në skemën e të luajturit të ekipit të tij. Kjo ndeshje do të luhet në orën 13.00 ndërkohë që në orën 15.00 në fushë do të jenë ekipet e 19 vjeçarëve. Trajneri Luan Zmijani me ekipin e tij siç dihet nuk ka humbur asnjë takim në kampionatin ku merr pjesë dhe për rrjedhojë në këtë përballje do të testojë vetveten. Duhet pranuar fakti se me ekipet e moshave, malazezët punojnë shumë mirë dhe shkodranët, si trajnerët ashtu edhe futbollistët, do të kenë mundësi të mësojnë jo pak por duke u treguar atyre edhe vetitë më të mira që ato kanë.
© vllaznia.al