Komisioni i Apelit lë në fuqi Disiplinën. Vllaznia 10 ndeshje pa tifozë

257

Vllaznia do t’i luajë pjesën më të madhe të sezonit në Kategorinë Superiore pa praninë e tifozëve. Vendimi i Disiplines dy jave me pare, nuk eshte ndryshuar as nga Apeli. Kesisoj, pas dhunës mes dy tifozerive në stadiumin “Loro Boriçi”, vendimi i Komisionit të Apelit nuk ndryshon asgjë edhe pse drejtuesit e dy klubeve, pak ditë më parë zhvilluan një takim dypalësh për të ulur gjakrat. 15 ndeshje pa tifozë për Tiranën dhe 10 për Vllazninë janë vendimet e Komisionit të Disiplinës që u konfirmuan nga Apeli pas mbledhjes së këtij komisioni ditën e hënë. Me këtë vendim të Apelit, shkodranët nuk kanë qenë aspak të kënaqur. “Jemi shumë të pakënaqur me këtë vendim të këtij Komisioni. Kur u shty me një javë mbledhja e tij, menduam se do të shqyrtoheshin me imtësi provat e mbledhura por nuk ndodhi kështu. Mbetja në fuqi e dënimit prej 10 ndeshjesh, është mjaft e rëndë për Vllazninë dhe Shkodrën. Ato nuk e meritojnë që për hir të 20 huliganëve, të ndëshkohemi në një mënyrë të tillë. Kjo përbën edhe një humbje të madhe ekonomike për ne. Federata mesa duket do të na rrëzojë një kategori më poshtë”- ka thënë zëvendëspresidenti i klubit Isuf Isufi. Nderkohe, pasditen e së mërkurës do të nisin ndeshjet e turit të parë të Kupës së Shqipërisë në futboll. Pas shtyrjes së zhvillimit të këtyre ndeshjeve, më në fund Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur ta nisë edhe këtë kompeticion. Në bazë të shortit të paracaktuar, Vllaznia do të luajë në këtë tur të parë me Mamurrasin. Në pamje të parë, duket një ndeshje e lehtë për kuqeblutë por stafi drejtues nuk e mendon të tillë. Trajneri Baldo Raineri ka menduar të marrë me vete të gjithë titullarët sepse kërkon të zgjidhë kualifikimin që në ndeshjen e parë.

© vllaznia.al