Nesër nis kampionati i femrave. Vllaznia sërish pretendentja kryesore

280

Ditën e shtunë nis kampionati i shtatë kombëtar i futbollit të femrave në vendin tonë. Një futboll që nga viti në vit po njeh rritje sa i takon nivelit të tij por edhe interesimit të klubeve. Kuptohet që edhe në këtë kampionat, pretendentja kryesore për fitimin e titullit kampion do të jetë kampionia në fuqi- Vllaznia. Një skuadër që funksionon vërtetë si profesioniste. Ajo ka nisur stërvitjen që në qershor dhe nuk e ka ndërprerë për asnjë moment, edhe ngaqë ka qenë sërish pjesmarrëse në Ligën e Kampioneve këtë verë. Përveç kësaj, interesant është fakti se presidenti i këtij ekipi Lazer Matija, ndonëse ka pak rivalë, vazhdon të shpenzojë në merkato dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe këtë sezon teksa ka bërë pjesë të Vllaznisë edhe një nga sulmueset më të mira të kampionatit shqiptar, Ambra Gjergjin por edhe dy futbolliste të tjera kosovare. Kuptohet që kampionati është garë dhe atij asnjëherë nuk i dihet. Vërtetë Vllaznia është pretendentja kryesore për fitimin e titullit të rradhës, por presidenti Matija në prononcimin e tij lë të hapur garën duke vlerësuar edhe disa ekipe të tjera rivale.Në të njëjtën linjë me presidentin janë edhe trajneri Nikolin Leka dhe kapitenia e ekipit Erida Bajrakurtaj. Ata madje, si kundërshtarin më të fortë kanë vlerësuar vetveten. Vllaznia për femra starton të shtunën kampionatin e ri me ndeshjen e parë ndaj Dajtit dhe kuptohet që objektivi është i qartë: Jo vetëm të fitojë titullin kampion edhe këtë sezon por edhe të vazhdojë të ruajë të pathyer rekordin e jashtëzakonshëm, atë të plot 5 sezoneve pa njohur shijen e keqe të humbjes. Shifra vërtetë të frikshme por ky është realiteti dhe nëse në futbollin e meshkujve ka një hegjemoni të vendosur nga Skënderbeu, tek femrat është Vllaznia që ka dominuar duke fituar 5 tituj rradhazi dhe duke bërë gati tashmë edhe të gjashtin.

© vllaznia.al