Portieri Agoviç. Fitorja daj Luftëtarit është detyrim për ne

272

Pritja e 11-metërshit të ekzekutuar nga Salihi në ndeshjen e kaluar ndaj Skënderbeut, e ka vënë atë në qendër të vëmendjes dhe jo më kot, u vlerësua edhe si njeriu i ndeshjes. Malazezi Jasmin Agoviç po kalon një moment shumë të mirë tek Vllaznia aktualisht dhe jo më kot, drejtuesit e klubit, kanë nxjerrë atë para gazetarëve në konferencën e sotme për shtyp. Duke folur në lidhje me takimin e nesërm, ai është shprehur kështu: “Ndeshja me Luftëtarin është shumë e vështirë sepse ata kanë një ekip simpatik që ka marrë pikë edhe në transfertë dhe prandaj duhet përqendrim dhe respekt maksimal ndaj këtij kundërshtari. Kundër Skënderbeut ka qenë një ndeshje e fortë por mendoj se ndaj Luftëtarit ka për të qenë një ndeshje shumë herë më e fortë se ajo. Megjithatë pikësynimi ynë dihet: fitorja ndaj këtij ekipi. Unë besoj se në stadium këtë herë do të ketë edhe më shumë tifozë dhe ne të japim maksimumin për të marrë fitoren. Nqs secili prej nesh jep 100 përqindshin në fushë, jam i sigurtë se do ta fitojmë këtë ndeshje. Kemi mungesa por ata që do luajnë, besoj se do të japin më të mirën e tyre për skuadrën. Po kalojmë një moment të mirë si skuadër dhe në rast të një fitoreje nesër ndaj Luftëtarit, vendi i katërt bëhet edhe më i afërt dhe pse jo të mos tentojmë në të ardhmen”. Malazezi ka thënë se ndjehet mirë në Shkodër. Për më tepër që ka në skuadër edhe dy bashkëkombas të tij, zëvendëstrajnerin Maxhar dhe mbrojtësin Cicmil. Me këtë të fundit madje ka kohë që njihen sepse sipas vetë ai, kanë luajtur sëbashku tek Buduçnost duke u shpallur madje edhe kampionë. “Ata të dy më kanë ndihmuar shumë sepse unë kam ardhur i fundit prej tyre tek Vllaznia. Me Cicmilin në fakt njihem prej vitesh sepse të dy bashkë kemi luajtur me Buduçnostin dhe madje jemi shpallur edhe kampionë me të. Edhe para se të vija në Shkodër, më kanë folur shumë mirë për këtë qytet dhe për këtë skuadër dhe këtë e vërtetova edhe kur erdha sepse më kanë pritur mirë dhe më kanë mbështetur gjithnjë”. Agoviç ndër të tjera ka folur edhe për rikthimin e tifozëve “Vllaznit Ultras” në stadium në mbështetje të tyre duke e quajtur si diçka shumë pozitive dhe që do t’i japë më shumë krahë futbollistëve në fushë. “Them se është diçka shumë e mirë rikthimi i tyre, si për ne futbollistët në fushë ashtu edhe për klubin. Ajo çfarë mund të premtoj unë është se fitorja e nesërme do të shkojë për ta”. Në fund, një pyetje edhe në aspektin personal nëse ka dhënë edhe një mendim për formën e tij kur ka deklaruar: “Mendoj se po kaloj një moment të mirë megjithatë punoj fort sepse kërkoj edhe më shumë nga vetja që të rritem me formën time. Sidomos kur luajmë në stadiumin tonë jam shumë i motivuar megjithatë edhe në ndeshjet jashtë, jam munduar të jap gjithnjë më të mirën dhe këtë gjë besoj se duhet të bëjmë gjithmonë”.

© vllaznia.al