Seminar me trajnerët e moshave. Referojnë dy trajnerë hollandezë

270

Paraditen e sotme ka nisur në Shkodër një seminar shumë interesant me trajnerët e moshave të të gjithë ekipeve të qytetit tonë. I organizuar në ambjentet e stadiumit “Loro Boriçi” nga Klubi i Futbollit Vllaznia në bashkëpunim me “Albanian Ajaks School”, ky seminar pritet të sjellë shumë risi. Për më tepër që në rolin e lektorëve janë dy trajnerëve hollandezë që punojnë në Akademitë e njohura të Ajaksit dhe Alkmarit pikërisht Sander de Goede dhe Rory Roubos të cilët po sjellin përvojën e këtij futbolli dhe mënyrën si mund të adoptohet në vendin tonë.Para fillimit te seminarit ka qene administratori i KF Vllaznia, z. Astrit Gjyrezi qe ka pershendetur pjesmarresit por edhe ka falenderuar dy trajneret hollandeze. Po ashtu, ai ka bere te ditur se klubi kuqeblu perveçse ne kete rast me “AAS”-ne, do te jete i hapur me çdo Akademi apo klub tjeter ne Shkoder ne menyre qe te gjithe sebashku te ndihmojne per rritjen e cilesise se ketij sporti. Nga ana tjeter, organizatorët në prononcimin e tyre janë shprehur se një seminar i tillë dhe shkëmbimi i përvojës me trajnerët hollandezë, është diçka që ka për t’u vlejtur shumë edhe trajnerëve shkodranë. “Këto janë përvojë të cilat besoj se do t’i vlejnë të gjithë trajnerëve të 11 klubeve pjesmarrëse në këtë seminar. Shkëmbimi i eksperiencave dhe i kulturave sportive, gjithmonë shërben për mirë dhe besoj se nga ky seminar të gjithë pjesmarrësit kanë për të dalë me më shumë njohuri të përvetësuara për profesionin tonë”- ka thënë Eugent Zeka, drejtori sportiv i KF Vllaznia. Ndërkohë, presidenti i “Albania Ajax School” Arben Haveri ka thënë se ky është vetëm fillimi i këtij bashkëpunimi prandaj është shprehur: “Ky seminar treditor që ka nisur sot, organizohet nga Akademia jonë në bashkëpunim me Klubin e Futbollit Vllaznia dhe ka gjetur mbështetjen e Amabasadës Hollandeze në Tiranë dhe të Bashkisë Shkodër. Qëllimi i këtij trajnimi është që t’i japim mundësi të gjithë trajnerëve të moshave në Shkodër të lidhen me kulturën hollandeze të trajnimit. Ky seminar besoj se është vetëm fillimi sepse do të kemi edhe të tjerë prapa. Trajnerët shkodranë kanë se çfarë të mësojnë por edhe të japin eksperiencën e akumuluar prej tyre në këtë fushë prej vitesh”.Ditën e mërkurë, seminari do të vazhdojë përveçse me teori, edhe me praktikë sepse trajnerët hollandezë do ndjekin disa ndeshje të moshave e në këtë ditë, bashkë me ta do të bashkohet edhe ambasadorja e Hollandës në vendin tonë, bashkë me kryebashkiaken e Shkodrës, Voltana Ademi. Seminari do të përfundojë ditën e enjte.

 

© vllaznia.al