Vllaznia dhe Tirana, shtrëngim duarsh sot në Shkodër mes palëve

268

Vllaznia dhe Tirana kanë vendosur të harrojnë gjithçka ka ndodhur mes tyre ditët e fundit dhe sëbashku do të nisin një etapë të re bashkëpunimi. Drejtuesit e klubit tiranas kanë qenë sot në Shkodër për të kërkuar falje për sjelljen e tifozëve të tyre. Të drejtuar nga presidenti Refik Halili, kanë qenë edhe administratori Krenar Alimehmeti, kapiteni i ekipit Ervin Bulku apo dhe emra të tjerë si Indrit Fortuzi e të tjerë. Ata janë pritur nga ana e zëvendëspresidentit të Vllaznisë Isufi, administorit Kalamishi, shefit të klubit Grima si dhe emrat e njohur të futbollit si Rragami, Ndoja, Zmijani e Sinani. Ka qenë i pranishëm edhe zëvendëspresidenti i FSHF-së, z. Lutfi Nuri. Bisedimet e zhvilluara kanë qenë shumë paqësore dhe dashamirëseve mes palëve teksa secila ka shprehur pakënaqësinë e saj për atë që ka ndodhur. Në fund të takimi, kanë dalë para mediave dy presidentët Halili e Isufi të cilët kanë shpjeguar çfarë është biseduar mes palëve dhe çfarë është vendosur për të ardhmen. “I jemi shumë mirënjohës presidentit Halili dhe drejtuesve të tjerë të Tiranësë të cilët e mbajtën premtimin për të ardhur në Shkodër për të mbyllur këtë histori. Në emër të klubit Vllaznia, dua të them se të gjithë tiranasit, përfshi këtu edhe tifozët e kësaj skuadre, do ta kenë derën e hapur në Shkodër ashtu si më parë. Duam t’i harrojmë ato që kanë ndodhur dhe të shohim përpara”- ka thënë zëvëndëpresidenti i Vllaznisë Isufi. Ndërkohë presidenti i Tiranës Halili ka shtuar: “E ndjemë për detyrë të vinim në Shkodër për të sheshuar çdo gjë. Ky duhet të jetë një shembull edhe për gjithë ekipet e tjera të cilët nuk duhet t’i kushtojnë rëndësi acarimeve të momentit por të punojnë për rritjen e bashkëpunimit. I falenderoj shkodranët për mikëpritjen dhe ju garantoj se edhe në Tiranë do të jenë gjithnjë të mirëpritur. Sa i takon dënimit, ne do të dalim me një deklaratë të përbashkët bashkë me klubin Vllaznia dhe do t’i drejtohemi Federatës për të kërkuar zbritjen e dënimit. Futbolli është për tifozët dhe nuk ka kuptim të zhvillojmë ndeshje pa to”.  Kanë folur për mediat edhe dy administratorët respektivë, Kalamishi dhe Alimehmeti të cilët thanë theksuar faktin se do punohet  me tifozëritë për të rikthyer normalitetin dhe gjërat për të vazhduar normalisht si më parë. Kësisoj sherri i javës së kaluar në mes dy tifozërive që çoi edhe në përplasje mes klubeve, është mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme por ajo që pritet tashmë është vendimi i Federatës për uljen e dënimit për të dy klubet.

www.vllaznia.al