Vllaznia e femrave mund 10-0 Dajtin. Në gjysmëfinale përballë Tirana AS

233

Vllaznia, ashtu siç pritej është kualifikuar pa problem për në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë në futboll për femra. Në ndeshjet e kësaj veprimtarie që sivjet po zhvillohen në Shkodër, vajzat kuqeblutë kanë fituar sot thellësisht 10-0 ndaj Dajtit. Ndeshja e zhvilluar në fushën sportive “Reshit Rusi” nuk ka patur shumë histori. Madje rezultati duhej të kishte qenë shumë më i thellë nga mënyra si është zhvilluar loja. Vllaznia ka shënuar nga pesë gola për secilën pjesë loje teksa autore të 10 golave të shënuar kanë qenë Berisha (2), Tula (2), Jashari (2), Doçi, Gruda, Begolli dhe Proto. Po në ndeshjen e luajtur sot, Kinostudio ka fituar me rezultatin 7-1 ndaj Shkëndisë së Durrësit. Dy ndeshjet gjysmëfinale do të zhvillohen të shtunën e ardhshme. Shumë interesante pritet të jetë përballja Juban Danja- Kinostudio. Kjo e fundit ka bërë disa përforcime me futbolliste kosovare ditët e fundit dhe kërkon fitoren e Kupës megjithatë do të hasë në rezistencën e skuadrës së presidentit Ferdinand Jaku i cili ka krijuar një ekip shumë simpatik, pa blerje të mëdha por me vajza që e duan këtë lojë. Në çiftin tjetër, sigurisht që Vllaznia është favoritja kryesore për të dalë në finale madje edhe për ta fituar atë megjithatë duhet pritur zhvillimi i këtyre ndeshjeve për ta kurorëzuar me fitimin e këtij trofeu punën e bërë nga vajzat dhe trajneri Pepaj në stërvitje, por mbi të gjitha, investimin e presidentit Matija tek kjo skuadër.
© vllaznia.al