Vllaznia e minifutbollit fiton 3-2 ndaj kampionëve të Ali Demit

241

Një ndeshje shumë interesante ka qenë ajo e pasdites së sotme, e zhvilluar në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe e vlefshme për kampionatin kombëtar të minifutbollit. Vllaznia ka patur përballë kampionët e Ali Demit dhe ka arritur t’i mundë ato me rezultatin 3-2. Ndeshja ka patur faza shumë emocionuese. Kanë qenë kuqeblutë ata që kanë shënuar të parët me anë të Çobës dhe më pas Mandi ka dyfishuar rezultatin. Kjo ka sjellë entuziasëm në shkallët e pallatit të sportit dhe për më tepër, këtyre dy golave iu shtua edhe një i tretë, shënuar nga Gjoklaj. U duk se gjërat po shkonin jashtëzakonisht mirë por në fundin e pjesës së parë, miqtë kanë shënuar golin e tyre të parë. Kësisoj 20 minutat e para të ndeshjes janë mbyllur në shifrat 3-1. Në pjesën e dytë trajneri i Vllaznisë Ardit Behari udhëzon futbollistët e tij për të luajtur me kujdes dhe për të administruar rezultatin. Deri diku ia arrijnë megjithatë arrijnë të pësojnë një gol, çka rikthen panikun në skuadër duke patur frikën e mospërsëritjes së historisë të ndeshjes së parë kur u barazua në të njëjtën mënyrë me Flamurtarin. Megjithatë nuk do ndodhë kështu. Vllaznia arrin të ruajë avantazhin dhe përfundimisht fiton 3-2 duke marrë kësisoj fitoren e parë në kampionat teksa pas tre ndeshjesh të luajtura, ka arritur një fitore, një barazim dhe një humbje, pra me 4 pikë të grumbulluara dhe me golaverazhin 10-11. Javën e ardhshme skuadra shkodrane do të luajë në Durrës ndaj Teutës ndeshjen e ardhshme të kampionatit.    
© vllaznia.al